Firma e cila ka fituar tenderin 4 vjeçar për mirëmbajtjen e rrugës nacionale Skuraj – Peshkopi e ka nisur punën e saj me riparimin e segementit të dëmtuar në fshatin Kloskatund të Bashkisë së Klosit.
Në fakt ky segement ka qenë gangrena më e madhe e drejtuesve të automjeteve që lëviznin në drejtim të Bulqizës, Dibrës e Maqedonisë së Veriut apo anasjelltas.
Dëmtimi i asfaltit në këtë zonë është denoncuar disa herë në media prej disa vitesh, por firma që e kishtë për mirëmbajtje deri në fund të muajit Mars të këtij viti nuk bëri asnjë ndërhyrje, duke e lënë rrugën të degradohej çdo ditë e më shumë.
Duket që punën e parë në kontratën e re të mirëmbajtjes, firma ALKO-IMPEX po e nis pikërisht me rehabilitimin e këtij segmenti, duke i hequr asaj shtresën e dëmtuar të asfaltit.
Nuk dihet nëse ndërhyrja do të bëhet bashkë me nënshtresat e tjera, por qoftë edhe hedhja e një shtrese asfaltike në këtë segment të deformuar, do të zgjidhë gangrenën e krijuar prej vitesh sidomos për automjetet e vogëla.