Matjanët do të luajnë sot në transfertë përballë Vorës dhe synojnë të mbajnë vendin e parë në renditje. Për numrin një të pankinës matjane, Samuel Nikaj çdo ndeshje e kësaj faze është si finale, ndërsa objektivi mbetet i qartë, për të mbajtur kreun e grupit A. Sipas Nikajt presioni më i madh do të jetë mbi skuadrën e Burrelit, pasi Vora e ka arritur objektivin e saj i cili ishte qe kampionatin ta mbyllte në katër më të mirat e grupit A. Ai shtoi se Burreli do ta ketë presionin psikologjik në lojë për vetë faktin e ngarës së ngushtë që do të zhvillohet në këtë grup. Nikaj e konsideron Vorën si një ekip të vështirë i cili e ka treguar në dy përballjet e fazave të para. Megjithatë, gara tashmë është “luftarake” dhe djemtë e tij do të kërkojnë tri pikët në këtë ndeshje.
“Janë gjashtë ndeshjet e fundit dhe do t’i konsideroj pa frikë si gjashtë finale. Ndeshjet do t’i marrim një e nga një, ku e para është me Vorën, një kundërshtar i cili pavarësisht dy fitoreve që kemi marrë ndaj saj, na ka vendosur në shumë vështirësi. Kjo për shkak se ka lojtarë cilësor si ekip. Ata e kanë arritur objektivin e tyre, ndërsa ne kemi objektiv maksimal. Kjo do të na bëjë neve që të shkojmë më të karikuar, por ka edhe anën tjetër të medaljes, pasi ata duke luajtur shumë lehtë dhe lirshëm sepse nuk kanë motiv, ju del loja., ndërsa ne që e kemi “për jetë a vdekje” mund të na bllokohet loja. Ne kemi punuar në këtë aspekt, ku psikologjikisht jemi në rregull dhe të mos e marrim me shumë ndrojtje pavarësisht që jemi favorit kryesor të kësaj ndeshje. Ne do të bëjmë më të mirën në këtë takim, pasi nuk na lejohen hapat fals” – tha Nikaj.
Formacioni i mundshëm!
Miraka, Beci, Danaj, Sefgjinaj, Toma, Ujkaj, Zefi, Vecaj, Stana, Kurbneshi, Raboshta. Tr.S.Nikaj