Pas më shumë se 24 orësh është arritur të vihen nën kontroll flakët që kishin përfshirë masivin pyjor me dushqe në fshatin Mazhicë të Njësisë Administrative Shupenzë.
Ekipet zjarrfikëse dhe banorët e zonës kanë arritur të neutralizojnë zjarrin i cili ishte përhapur në një sipërfaqe shumë të madhe i ndarë në disa vatra.
Era e fortë gjatë ditës së martë ishte në disfavorin e ekipeve zjarrfikëse, ndërsa më në fund vatra u izolua totalisht.
Mbi 10 hektar pyll me Lis u përfshi nga flakët mbrëmjen e së hënës, ndërsa është dashur ndërhyrja e ekipeve të zjarrfikëses së Bulqizës, shërbimit pyjor dhe banorëve për ta shuar zjarrin në masivin pyjor me dushqe.
Autoritetet vijojnë t’ju bëjnë apel banorëve që të mos bëhen shkak për ndezjen e zjarreve në këtë periudhë duke pastruar kullotat, pasi edhe nëse zjarrvënia do të jetë e paqëllimshme, do të përballen me dispozitat ligjore.
Ndërkohë, për rastin në fjalë, policia ka nisur hetimet dhe pritet të zbardhë shkaqet e vërteta të këtij zjarri të madh në pyllin e fshatit Mazhicë, i cili ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik në pasuritë pyjore të Bulqizës.