Më 6 shtator 2024, në Mat, u zhvillua për të tetin vit radhazi Festivali Kombëtar i Poezisë “Muza Poetike Budiane”, organizuar nga Klubi Letrar “Pjetër Budi”, me kryetar poetin dhe publicistin Hamdi Hysuka. Ky festival mblodhi poetë, shkrimtarë dhe artistë nga trojet shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ndër të pranishmit ishin personalitete të shquara si prof. dr. Shyqri Galica, Myrteza Mara, Zija Vukaj, Agim Bajrami dhe Trëndafile Molla (Baja). Familjarët e poetit të njohur Hamit Aliaj gjithashtu nderuan me praninë e tyre, së bashku me përfaqësues të UNFPA – sponsor gjeneral i Festivalit, me kordinator Faik Xhanin, “Mjeshtër i Madh”. dhe figurat e njohura kulturore, si Hajri Ismani dhe Qerim Bislimi.
Festivali u hap me promovimin e dy librave të rinj nga Faik Xhani dhe Trëndafile Molla, ndërsa poetë nga vende të ndryshme prezantuan krijimet e tyre. Juria e festivalit me kryetar poetin Myrteza Mara dhe anëtarë Flora Brovinën, dhe Fatmir Nelin, sekretar i Klubit Poetik “Pjetër Budi”, vlerësoi dhe ndau çmimet për fituesit.
Çmimi i tretë iu dha poetëve Qazim Shehu, Xhavit Gasa dhe Ymer Hysa. Çmimi i dytë shkoi për poetin Xhemkadri Kastrati dhe poeten Vilma Nika. Me Çmim të Parë u vlerësua poetja Fatbardha Kaçi. Ndërsa poetja Mimoza Zenullahu fitoi çmimin “Zëri i Ri Poetik”. Poeti Basir Bushkashi fitoi çmimin “Pjetër Budi”, ndërsa çmimin “Hamit Aliaj” e fitoi poetja Lindita Doda. “Çmimi i Karrierës” iu dha poetëve Qemal Cenaj, Faik Xhani dhe Miranda Troci (Derti), ndërsa “Çmimi i poetëve” i takoi Elona Bashës. Klubi Letrar Mat vlerësoi me Çmimin “Anëtar Nderi” dr. Sali Kurtin.
Festivali Kombëtar i 8-të i Poezisë “Muza Poetike Budiane” afirmoi edhe njëherë rëndësinë e integrimit kulturor kombëtar, duke e shndërruar Burrelin për të 8-tin vit radhazi, të paktën për një ditë në “kryeqytet” të poezisë kombëtare, pasi bërë bashkë krijues nga të gjitha viset shqiptare. Jehona e këtij Festivali vijon ende në shtypin e kohës dhe në masmedian kombëtare.