Tashmë është kthyer në traditë që Bashkia Mat me rastin e festave të fund-vitit të vlerësojë simbolikisht nxënësit më të mirë të arsimit 9-të vjeçar në të gjitha shkollat. Kësaj nisme ju bashkuan edhe dy shoqata të cilat ndanë dhurata për fëmijët me aftësi ndryshe si dhe frekuentuesit e Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Ymer Neli” Mat e bibliotekës “Pjetër Budi” Mat. Aktiviteti i ndarjes së këtyre dhuratave u bë në ambjentet e pallatit të kulturës “Shefqet Doda” të qytetit të Burrelit, ku fillimisht u interpretuan numra të ndryshëm artistik nga fëmijët që frekuentojnë QKF Mat.
Më pas ishin drejtuesit e shoqatave ata të cilët uruan fëmijët për festat e fundvitit.
I pranishëm në këtë aktivitet për ndarjen e dhuratave për nxënësit ekselentë, zv/kryetari i Bashkisë Mat, Myslym Zeneli tha se ky është një motivim që bën bashkia për nxënësit që të rrisin rezultatet mësimore.
Ceremonia e ndarjes së këtyre dhuratave u ndoq edhe nga prindër, mësues e drejtues të arsimit në Mat.