Qyteza e Ulzës vijon të mbetet pika më e rëndësishme turistike në krahinën e Matit. Për të promovuar sa më shumë këtë zonë, në ditën e festës lokale “Shën Marku”, Bashkia Mat organizoi një aktivitet të larmishëm ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor në të gjithë Qarkun Dibër e më gjerë. Po ashtu, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro. Aktiviteti nisi me një panair agro-ushqimor në të cilin morën pjesë nxënës të shkollave të Matit por edhe përfaqësues të subjekteve turistike.

Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se pushteti vendor do të vijojë të tregojë një vëmendje të veçantë ndaj kësaj zone me potencial të madh turistik.

  Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se brenda stinës së verës në këtë zonë do të nisë një investim i rëndësishëm për rikualifikimin e bregut të liqenit të Ulzës.

Zv/kryeministrja Belinda Balluku tha se qeveria do të vazhdojë të investojë në Mat pasi ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit malor.

Aktiviteti u shoqëruar me një shfaqje të dhënë nga fëmijët që frekuentojnë Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Ymer Neli” Mat. Ndërsa në fund të pranishmit ndoqën edhe hedhjen e rreth 30 mijë copë rasat peshku të llojeve, Krap, Ballgjerë e Omur në liqenin e Ulzës.