Banorët e Dibrës kërkojnë që t’i jepet më shumë prioritet bujqësisë në të gjithë sektorët e saj. Fermerët shprehen se bujqësia me blegtorinë duhet të shkojnë paralel pasi nuk bëjnë pa njëra – tjetrën. Luftim Markeçi nga fshati Erebarë thotë se kohët e fundit ka një shenjë pozitive sa i përket shtimit të blegtorisë, megjithatë sipas tij është ende pak për nevojat e zonës në tërësi. Kjo do të thotë se do të ketë më shumë pleh organik edhe për tokat bujqësore dhe prodhimi do të shtohet akoma më shumë.
“Në fshatin Erebarë para katër vitesh kanë qenë vetëm dy tufë bagëtish ndërsa tani janë bërë gjashtë” – thotë Markeçi. Sipas tij, shtimi i krerëve në këtë zonë është bërë nga të rinjtë të cilët e kanë parë të ardhmen në vendin e tyre.
Sipas Institutit të Statistikave në vendin tonë, numri i bagëtisë ka ardhur në rënie nga viti në vit, ndërsa më shumë numri është ulur tek të imtat.