Fermeri i kumbullave në Shupenzë të Bulqizës
Ndryshe nga shumë fermerë të tjera të Qarkut Dibër, që kryesisht janë fokusuar në kultivimin e mollës, qershisë apo arrës, fermeri Xhavit Kurti, nga fshati Shupenzë i Bulqizës, ka zgjedhur të kultivojë kumbullën. Xhaviti thotë se ka kultivuar rreth 1 mijë rrënjë kumbulla dhe prodhon deri në 70 kv në çdo sezon. Duke qenë se është një frut që nuk dëmtohet kollaj, apo nuk krimbet si qershia, fermeri Kurti shton se është më me leverdi pasi ka kohë ta vjelë dhe ta nxjerrë në treg. Edhe për tregun, Xhaviti shprehet se prodhimin e ka thuajse të sigurtë pasi vijnë tregtarë nga Maqedonia e Veriut që shkojnë ta marrin direkt në pemtore. Ashtu si fermerë të tjerë të pemtarisë, edhe fermeri Xhavit Kurti nga fshati Shupenzë i Bulqizës që kultivon kumbull, thotë se mungesa e fuqisë punëtore po e dëmton shumë këtë sektor. Fermerët e Dibrës vazhdojnë të kenë kërkesë kryesore të tyren, ndërtimin e dhomave frigoriferike, që të kenë mundësi të ruajnë prodhimin dhe ta shesin në vazhdimësi.