FERMERËT NË PRITJE TË LËVRIMIT TË FONDEVE, AUTORITETET NË FAZËN E VERIFIKIMIT

FERMERËT NË PRITJE TË LËVRIMIT TË FONDEVE, AUTORITETET NË FAZËN E VERIFIKIMIT

Fermerët të cilët kanë aplikuar në skemën kombëtare të mbështetjes financiare në bujqësi për këtë vit, janë në pritje të lëvrimit të fondeve. Megjithatë, autoritetet janë ende në fazën e verifikimit të aplikimeve pas shpalljes së fituesve të fazës së parë. Të gjitha aplikimet e fermerëve pritet t’i nënshtrohen verifikimeve në terren për të shmangur çdo lloj abuzimi të mundshëm nga ana e aplikuesve. Ndërkohë për shumë kategori vlera financiare është rritur këtë vit. Skema Kombëtare e Mbështetjes për vitin 2026 përfshin 9 masa direkte dhe 3 masa investimesh, të dizajnuara për të rritur konkurrueshmërinë e sektorit. Përfitues të këtyre fondeve janë fermerët individualë, personat fizikë e juridikë, si dhe Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB). Veç skemave standarte të cilat kanë qenë edhe vitet e kaluara, një risi e këtij viti ka qenë edhe mbështetja financiare për fermerët e rinj. Sakaq, pritet që në ditët në vijim të bëhet e ditur sa janë fermerët që kanë aplikuar dhe janë shpallur fitues në skemën kombëtare 2026 nga Bashkitë Mat e Klos.