Rritja e menjëhershme e temperaturave ka bërë që fermerët e luginës së Matit të kërkojnë vënien në funksion të kanalit vaditës të Klosit. Megjithëse ra shi për një periudhë më shumë se një mujore, fermerët shprehen se tashmë për pak ditë të mbjellat do të kenë nevojë për vaditje pasi temperaturat janë shumë të larta. Një ndër fermerët që kërkojnë vënien në funksion të kanalit vaditës të klosit është edhe Liman Laçi nga fshati Suç.

Ai shprehet se veç të mbjellave, vaidtja do t’i duhet edhe tokës pas korrjes së grurit. Ai apelon që përgjegjësit për këtë vepër vaditëse të mos humbin kohë, port a vënë në funksion të fermerëve sa më pare.

Vitet e kaluara, data për të qenë në dispozicion të fermerëve ka qenë 6 Qershori, por këtë vit deri në këtë datë, pati shira të përditshëm që jo vetëm hoqën nevojën për vaditje, por penguan edhe punimet që po kryhen në disa segmente.