Bujqësia vijon të përballet me problemin e tarifave të larta të proceseve të ndryshme të punimeve që sjellin kosto të lartë të prodhimit. Më të prekur janë ata që kanë sipërfaqe të vogël të tokës bujqësore apo frutikulturës. Nazmi Kola, nga fshati Kurdari i bashkisë Klos, sapo ka nisur krasitjen e hardhisë. Për arsye se prodhimi i rakisë së viteve të kaluara i ka mbetur pa shitur, Kola është skeptik edhe këtë vit. Megjithatë, Nazmiu thotë se do të vijojë të merret me bujqësi përsa kohë nuk ka një alternativë tjetër më të mirë. Ai kërkon që politikat shtetërore të mbështesin edhe fermerët që kanë sipërfaqe të vogël toke apo vreshte, pasi me buxhetin e tyre e kanë të pamundur të përballojnë kostot e larta të proceseve të ndryshme që kërkon bujqësia.

Skemat mbështetëse për bujqësinë kanë ndryshuar vazhdimisht në vendin tonë. Pak vite më parë në skemën mbështetëse financiare ishin edhe sipërfaqet e vogëla, por dy vitet e fundit nuk është më.