Fermerët e Dibrës presin prodhim të lartë këtë vit. Kryemadhi: shpresojmë të mos kemi dëme
Fermerët e frutikulturës në Dibër ishin më të dëmtuarit në sezonin e kaluar për shkak të ngricave që mbajtën në fillim të muajit Prill. Prodhimi vitin e kaluar ishte rreth 20% për shkak se thuajse të gjitha varietetet e mollës dhe qershisë u dëmtuan. Ndërkohë, këtë vit sezoni duket më i mbarë dhe fermerët shpresojnë se do të kenë rendiment të lartë. Medin Kryemadhi është një nga fermerët e shumë të Dibrës. Ai ka një sipërfaqe prej 5 HA të mbjellë me qershi dhe mollë. Për dëmin ekonomik që pësoi vitin e kaluar nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim, ndërsa shpreson që ta kompensojë me prodhimin e këtij viti. Ndonëse pret të ketë prodhim të lartë këtë vit, Kryemadhi thotë se po përballen me mungesë të fuqisë punëtore. Ai shton se për ta vjelë qershinë shpenzon rreth 5 milion lekë të vjetra e po ashtu 5 të tjera për ta shitur në Tiranë. Mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në problem madhor në sektorin e bujqësisë për shkak të largimit masiv të të rinjëve nga fshatrat.