Drejt përfundimit asfaltimi i rrugës së macukullit

Drejt përfundimit asfaltimi i rrugës së macukullit

Asfaltimi i rrugës së Macukullit, që nis nga Qafa e Shënkollit me gjatësi 4.5 kilometra, është drejt fundit. Kompania e cila ka fituar zbatimin e projektit ka punuar me intensitet të lartë duke bërë që punimet të mbyllen brenda një kohe të shkurtër. Qëndrueshmëria e trasesë ka favorizuar kompaninë për të mos patur nevojë për shumë punime, duke punuar me një flotë të madhe automjetesh të cilat fillimisht kanë hedhur shtresën e stabilizantit e më pas shtresën asfaltike. I gjithë asfaltimi i kësaj rruge pritet të mbyllet shumë shpejt ndërsa më pas firma do të vijojë punën për plotësimin e sinjalistikës horizontale dhe asaj vertikale. Banorët e Macukullit u shprehën falenderues për këtë investim, i cili, sipas tyre, do të rikthejë shpresën për zhvillim në këtë njësi vendore. Kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni tha se puna po vijon jashtë parashikimit në kontratë, falë seriozitetit të kompanisë. Ai shtoi se pas përfundimit të kësaj rruge, puna do të zhvendoset edhe në fshatrat e tjerë. Asfaltimi i kësaj rruge ishte pjesë e projektit të parë Burgajet – Derjan – Macukull.