8 fëmijët e fshatit Plan i Bardhë që frekuentojnë aneksin e shkollës 9-vjeçare “Bejn” në fshatin Kloskatund vijojnë të shkojnë në shkollë me kamion. Janë drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë që transportojnë mineral kromi nga Bulqiza në drejtim të Durrësit ata që vijojnë të bëjnë bamirësi me këta fëmijë.

Në orët e mëngjesit, në temperatura shumë të ulta të dimrit, fëmijët presin që ndonjë mjet të ndalet për t’i marrë në vendin e quajtur “Kodra e Kukës”. Shkëlqim Kola, drejtues i një mjeti të tonazhit të rëndë, tha se çdo ditë njëri prej kolegëve të tij i merr këta fëmijë deri në fshatin Kloskatund.

Problemi i transportit të këtyre fëmijëve nuk po merr zgjidhje. Burime nga Zyra Vendore Arsimore Klos, thanë se tenderit të hedhur për të gjetur një mjet transporti për këta fëmijë, nuk i është përgjigjur askush, për shkak të tarifave të ulta ligjore për transportin e fëmijëve të shkollave.