Familja Kola, në fshatin Shkopet, të Bashkisë Kurbin, është përballur me dy fatkeqësi, atë të tërmetit të vitit 2019 dhe zjarrit të rënë pak muaj më parë, por ende është në pritje të ndërtimit të banesës së re. Institucionet kanë reaguar për ndërtimin e shtëpisë, por puna ka stopuar këtu. Kryefamiljari Gjergj Kola shprehet se themelet e shtëpisë i ka ndërtuar vetë, ndërsa firma ka bërë shtrimin e bazamentit dhe vetëm një ditë më parë ka dërguar aty tulla për të nisur ndërtimin e mureve. Duke qenë se ka kaluar një kohë e gjatë që nga ndërtimi i bazamentit, Gjergji shprehet se ka frikë se nuk do të ndërtohet në kohë dhe se do t’i duhet të kalojë dimrit diku tjetër e jo në këtë shtëpi. Nga ana tjetër, kryefamiljari Gjergj Kola tha se edhe bashkëshortja Dile është e sëmurë dhe nevoja për banesë është e madhe në këtë periudhë.
Ndërtimi i banesës së familjes Kola është përfshirë në projektin e rindërtimit nga Bashkia Kurbin, ndërsa ende janë shumë banesa të papërfunduara, mes tyre edhe e kësaj familjeje.