Banesa e familjes Hoxha nga fshati Bejn i Bashkisë së Klosit u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit të kaluar. Ekspertët që e verifikuan atë e nxorën të pabanueshme. Prej 10 muajsh familja e Mërsim Hoxhës jeton në çadër të vendosur pranë banesës. Por për ta nuk ka qenë aspak e lehtë përballimi i të ftohtit të dimrit të kaluar apo i nxehti i verës. Ndërkohë, Mërsim Hoxha thotë se ka ndjerë edhe lëkundjet e fundit të tërmetit që goditi Durrësin e për këtë shprehet se nuk është aspak i sigurtë. Shpresa për një banesë të re nga shteti i është venitur, ndaj ai ka kërkuar që ta ndërtojë vetë. Por kryefamiljari shprehet se i kanë kërkuar procedura të shumta që nga leja e ndërtimit e shumë dokumente, të cilat e ka të pamundur t’i sigurojë. Edhe banesën e re ai do ta ndërtonte me para borxh.
Nga ana tjetër, familja Hoxha është e bindur se edhe këtë dimër do të detyrohet ta kalojë në çadër, pasi shteti ende nuk i ka siguruar një banesë tjetër, apo ta dëmshpërblejë për banesën e dëmtuar nga tërmeti i vitit të kaluar.