Kjo është çadra nën strehën e së cilës jetonin 5 pjestarët e familjes Alla nga fshati fshatit Rripe në Njësinë Administrative Gurrë, të Bashkisë Klos. Temperaturat e larta, që solli i nxehti afrikan në vendin tonë, e kanë bërë të pamundur qëndrimin në të, duke detyruar familjen Alla të rikthehen në banesën dykatëshe të dëmtuar rëdë nga tërmeti dhe që Komisioni i verifikimit e ka kategorizuar në të pabanueshme. Por i nxehti që u bë i papërballueshëm në çadër, ka detyruar familjen Alla që të rrezikojë duke qëndruar në shtëpinë e plasaritur e gati në shembje nga lëkundjet e fuqishme të tërmetit të 26 Nëntorit të vitit të kaluar.
E zonja e shtëpisë Qamile Alla tregon se është në pritje të dëmshpërblimit nga qeveria, të cilin duket që do ta presë gjatë, pasi askush nuk i ka komunikuar asgjë deri më tani se kur mund t’i marrë paratë apo që tu ndërtohet një banesë e re.
Edhe djali i saj Eduart Alla thotë se të 5 anëtarët e familjes e patën të pamundur të jeton në çadër nga i nxehti përvëlues, ndaj zgjodhën më mirë të rrezikojnë jetën në banesën e dëmtuar nga tërmeti, sesa të vdesin nga vapa nën çadër.
Situata e rëndë ekonomike e krijuar nga pandemia Covid – 19 duket sikur ka lënë disi pas dore përkujdesjen shtetërore për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit të kaluar.