Fabrika e prodhimit të asfaltit bëhet shqetësim për banorët e Zall Strikçanit në Bulqizë

Fabrika e prodhimit të asfaltit bëhet shqetësim për banorët e Zall Strikçanit në Bulqizë

Banorët e fshatit Zall Strikçan në Njësinë Administrative Zerqan në Bashkinë e Bulqizës po përballen prej vitesh me ndotjen e mjedisit. Banorët denoncojnë pluhurin që shkaktohet nga gurorja dhe fabrika e prodhimit të asfaltit e cila ndodhet pranë fshatit të tyre. Denoncimi i banorëve vjen në një kohë kur pluhuri i cili vjen nga thyerja e gurëve mbulon gjithë zonën. Por më shqetësues mbetet procesi i prodhimit të asfaltit. Sali Seferi nga fshati Zall Strikçan shprehet se sa herë fabrika prodhon asfalt është e pamundur të qëndrosh në banesë pasi aroma e ziftit ndjehet kudo. Ai shton se asnjë institucion nuk ka ndërhyrë për t’i kërkuar llogari firmës që të mos lejojë ndotjen e mjedisit të banuar përrreth. Situata shqetësuese për banorët që jetojnë përreth fabrikës së prodhimit të asfaltit në këtë zonë bëhet më e rëndë gjatë muajve të verës kur temperaturat janë shumë të larta.