Gjatë muajit Gusht në vendin tonë janë evidentuar disa raste të virusit të njohur si “ethet e Nilit”. Sipas të dhënave zyrtare deri tani nga ky virus i cili transmetohet nëpërmjet mushkonjave ka patur edhe tre humbje jete.  Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë konfirmuar edhe 20 raste të infektuarish në të gjithë vendin.

Ndërkohë, sipas Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Mat, deri tani nuk është paraqitur asnjë person që mund të ketë qenë i dyshuar si i prekur nga “Ethet e Nilit”, mjekët specialist kanë marrë trajnimin e nevojshëm për të bërë ndarjen mes gripit stinor dhe “Etheve të nilit” pasi simptomat janë të përafërta. Deri tani rezulton se zonat më të prekura janë Lushnja, Fieri dhe Kurbini, ndërsa nuk ka raste të konfirmuara në zona të tjera.

Gjithsesi, mjekët specialist kërkojnë që simptomat të mos neglizhohen nga qytetarët pasi duhet bërë dallimi mes virozës së zakonshme dhe “Etheve të Nilit”. Simptomat për ta dalluar këtë të fundit janë temperaturë e moderuar, gjendje parehatie e përgjithshme, ulje të oreksit, të përziera, dhembje koke, sysh, shpine, nyje imfatike të zmadhuara, vështirësi në frymëmarrje. Format më të rënda të sëmundjes, që kërkojnë trajtim të specializuar, karakterizohen nga simptoma më të rënda, si: temperaturë e lartë, encefalit, meningjit, paralizë të lehtë,etj. Mjeti më efikas për të parandaluar është përdorimi i pajisjeve ose spray kundër mushkonjave dhe insekteve në mënyrë që të shmanget një pickim i mundshëm nga insektet bartëse. Gjithashtu rekomandohet që të evitohen zonat ku ka kafshë të ngordhura ose pellgje me ujë të ndenjur të cilat tërheqin mushkonjat.