Këto që shihni janë eshtra njerëzish të cilat prej disa vitesh qëndrojnë në sipërfaqe. Ata ndodhen në rrugën e lagjes “Kodra e Kukës” në fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë së Klosit. Banorët e këtij fshati tregojnë se ato u zbuluan vite më parë, kur po ndërtohej segmenti i rrugës së Arbrit nga Qafa e Buallit në drejtim të Urës së Vashës. Sipas banorëve, firma e cila po hapte këtë rrugë për të rënë tek ura e Vashës, i zbuloi eshtrat. Është dashur ndërhyrja e banorëve që ajo të mos e keqësonte më shumë situatën, pasi sipas tyre, mund të kishte dëmtuar gjithë varret që ndodhen aty. Banorët i njohin si “varret e Kurmetës”, pasi mendohet të jenë të këtij fisi i cili është larguar nga fshati. Por gjithsesi, ata mendojnë që ky është një problem i madh dhe se duhet gjetur një zgjidhje që ato të mos vazhdojnë të jenë në sipërfaqe.
Kjo gjendje në këtë rrugë është krijuar më shumë se 10 vite më parë dhe vijon të jetë e tillë.