Ecuria e kënaqshme e ekipit, Ballabani: nuk jemi në krizë, por kemi nevojë për mbështetje ekonomike
Ekipi i futbollit “Burreli” ka njohur në tre javët e para të këtij kampionati vetëm fitore, duke dhënë kështu shpresën e madhe që kjo skuadër të jetë në krye të klasifikimit të grupit A, gjë e cila në fund e çon automatikisht në superligë. Vendosmëria e drejtuesve të klubit dhe atyre të Bashkisë së Matit është që Burreli të jetë pjesë e elitës së ekipeve shqiptare në sezonin e ardhshëm 2021 – 2022. E për t’i paraprirë kësaj investimet janë bërë që në infrastrukturën e stadiumit, ambjeneteve të brendshme etj. Por investimi më i madh i këtij sezoni është bërë në ekip. Ndërtimi i një skuadre dinjitoze nuk ka qenë aspak i lehtë, por vendosmëria e drejtuesve të klubit dhe mbështetja e drejtuesve të Bashkisë së Matit bëri të mundur që në skuadër të afroheshin lojtarë cilësorë me në krye një trajner profesionist. Deri tani gjithçka ka shkuar sipas parashikimit dhe se nuk ka asnjë problematikë ekonomike, por Administratori Bajram Ballabani kërkon mbështetjen e sportdashësve që kanë mundësi ekonomike. Ballabani tha se ana ekonomike ka shumë rëndësi për ecurinë e skuadrës në kampionat, pasi shpenzimet janë të mëdha, jo vetëm tek pagat e lojtarëve, por edhe ato të udhëtimeve, trajtimit ushqimor etj. Situata e kaluar nga tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemia që nga Marsi i këtij viti ka ndikuar në financat e bashkisë ashtu siç ka ndodhur në të gjithë vendin.
“Ne i kemi vendosur një qëllim vetes këtë sezon, Burrelin ta shohim në krye të grupit A. për këtë ne krijuam një skuadër me lojtarë shumë cilësorë të cilët deri tani e kanë justifikuar veten. Ndonëse kampionati do kohë të mbyllet them se jemi në rrugën e duhur. Mbështetja e Bashkisë Mat dhe veçanërisht e kryetarit Agron Malaj ka qenë e pakursyer, por dihet që shpenzimet e një ekipi të tillë janë të mëdha, ndërsa buxheti i bashkisë po përballet edhe me krizën e pandemisë e postsituatën e tërmetit të vitit të kaluar. Deri tani nuk kemi patur asnjë problem ekonomik sa i përket pagave apo shpenzimeve të tjera. Megjithatë, kostoja është e lartë e në vazhdim do të na duhet mbështetje nga të tjerët. Marr shkas nga ky prononcim që tju bëj një apel të gjithë sportdashësve të Burrelit dhe biznesit të kontribuojnë që të realizojmë ëndërrën e madhe, ekipin ta shohim sezonin e ardhshëm ndër ekipet më të mira të vendit tonë. Unë siguroj që çdo qindarkë që do të kalojë për ekipin do të menaxhohet me përpikmërinë më të madhe dhe do të shkojë vetëm për përmirësimin e mëtejshëm të performancës por edhe ambjenteve sportive. Unë ju bëj apel jo vetëm sportdashësve që jetojnë brenda vendit tonë, por edhe atyre jashtë vendit që të na mbështesin pasi skuadra ka nevojë për të gjithë që dhe tju dhurojë kënaqësi të gjithëve. Këto donacione nuk do të më kalohen mua personalisht por në llogarinë bankare të klubit” – tha Administratori i KF “Burreli”, Bajram Ballabani.
Klubi ka vënë në dispozicion të të gjithë atyre që duan të dhurojnë donacione numrin e llogarisë bankare të Klubit, duke bërë publik IBAN në të gjitha monedhat. Raiffeisen Bank, IBAN:   AL34202110060000000011187836