Është zhvilluar këtë të hënë në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit ndeshja mes skuadrës matjane të futbollit dhe asaj të Elbasanit. Takimi i cili ishte konsideruar shumë i fortë mes dy skuadrave prodhoi raste e polemika sa i përket gjykimit të ndeshjes. Matjanët pretenduan për një penallti të mohuar dhe një gol të anulluar me pretekstin që ishte pozicion jashtë loje. Pjesa e parë u zhvillua në barazpeshë ku të dyja skuadrat nuk patën raste për të shënuar gol, ndërsa dyluftimi u bë kryesisht në mesfushë. Pjesa e dytë solli edhe episode të këtij takimi, ku fillimisht matjanët pretendojnë për mohimin e një penalltie të fituar në minutën e 57 nga Hoti por që për gjyqtarin kryesor, Egli Spahiu ishte jashtë zone.

  Por vetëm 8 minuta më vonë për një rast të ngjashëm, kryesori Spahiu vendos për penallti në favor të elbasanllinjëve, ku kapiteni Karakaçi ekzekuton saktë dhe shënon golin e fitores. Kjo shkaktoi indinjatën e matjanëve të cilët akuzuan trupën gjykuese për anshmëri.

Vetëm pak minuta më vonë matjanët fitojnë një goditje dënimi të cilën e ekzekuton kapiteni Stana, ndërsa Farruku e dërgon topin me kokë në rrjetë, por për gjyqtarin anësor Denis Rexha ishte pozicion jashtë loje, e ku mori mbështetjen e kryesorit Egli Spahiu.

Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim, duke bërë që gjithçka të mbyllej në shifrat Burreli 0 e Elbasani 1.