Në kuadër të festimeve të ditës së kryengritjes mbarëpopullore matjane të 31 Korrikut të vitit 1943 kundër pushtuesit fashist, piktori i mirënjohur matjan Agim Dervishi çeli një ekspozitë me punimet e tij në ambjentet e galerisë së arteve “Tahir Tahiraj”, pranë Pallatit të Kulturës “Shefqet Doda” të qytetit të Burrelit. Ekspozita e pikturave të piktorit Agim Devishi u vizitua nga drejtues të Bashkive Mat e Klos, Agron Malaj e Valbona Kola, të deputetes Aurora Mara, të nënprefektit të Matit Hasan Pasha dhe të drejtuesve të tjerë të institucioneve qëndrore e shoqatave në nivel vendor e lokal.
Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj falenderoi piktorin Agim Dervishi, i cili ju bashkua festimeve të 81-vjetorit të kryengritjes mbarëpopullore matjane.
Po ashtu, deputetja e Qarkut Dibër, Aurora Mara vlerësoi ekspozitën e piktorit matjan Dervishi.
Vetë piktori Agim Dervishi falenderoi të gjithë ata që e mbështetën dhe vizituan punimet e tij të ekspozuara në galerinë “Tahir Tahiraj”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur edhe në ditët në vijim dhe hyrja për ta vizituar është e lirë.
Ndërsa në orët e mbrëmbjes së natës festive të 31 korrikut në Burrel, qytetarët matjanë u argëtuan me një program humoristik dhe artistik nga trupa e aktorëve të “Portokallisë”.