Këtë fundjavë, bashkia Mat, përmes projektit “Mat Yesi” ndërmori një ekspeditë në kalanë e Stelushit në Vig të Matit, dikur qyteza e selisë së kastriotëve, me synim promovimin e turizmit historik. Pjesë e kësaj ekspedite u bënë edhe kryebashkiaku Agron Malaj, drejtuesja e “Vizion OJF” Suela Koçibellinj, përfaqësues të Muzeut Historik Mat, specialistë të turizmit, studiues dhe arkeologë të huaj dhe shqiptarë, të rinj e të reja etj.

Përmes mrekullive të natyrës dhe gjurmëve historike, pjesëtarët e kësaj ekspedite turistike organizuar nga bashkia Mat në kuadër të projektit “Mat Yesi”, kaluan disa orë në vendin ku dikur shtrihej qyteti mbi 5-shekullor i Varoshit, që studiuesit, por edhe në gojëdhënat popullore e njohin atë si një qytet të madh ku zotëronte Gjon Kastrioti, babai i Skënderbeut dhe që mendohet të ketë qenë me mbi 2000 banorë. Ekspedita të tilla turistike që promovojnë turizmin historik, por edhe atë malor, marrin shumë rëndësi për Matin, si një trevë që ka se ç’të tregojë në këtë fushë.