Autorë: Dallandyshe Xhaferri, Ina Allkanjari dhe Ilir Karabrahimi

Marre nga: https://acqj.al/eksodi-i-trete/

Disa e quajnë lëvizje e lirë, shumëkush e perifrazon si largim, të tjerë e konsiderojnë si një eksod masiv. Në fakt, nuk është asgjë më shumë se një emigrim i përhapur në këto tri dekadat e fundit. Pamje të shtëpive të braktisura e të rrënuara i ndesh në çdo anë të Shqipërisë, qytete, të cilat zvogëlohen dhe bien të flenë, pa rënë muzgu. Kjo është një plagë e vjetër, që ende kërkon shërim në realitetin e sotëm, shqiptar.

Në një dokument të vitit 1942, që disponon Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë, Shqipëria përbëhej nga 1.003.097 banorë. Këto shifra i përkasin censusit të parë, shqiptar për vitet 1930-1940. Dendësia mesatare e Shqipërisë gjatë së njëjtës periudhë arrinte deri në 40 banorë për kilometra katrorë. “Kjo dendësi shkonte deri në 85-100 frymë në zona me klimë të shëndetshme, për të zbritur pastaj në 85-61, 60-30 dhe 30-20 në zonat malore dhe në ato me moçale”.

Në tri dekada vendi ynë po përballet me valën e tretë të emigrimeve. Në vitin 1989 në territorin shqiptar regjistroheshin 3.182.417 banorë. Fill pas kësaj periudhe u regjistrua edhe vala e parë e emigrimit të shqiptarëve drejt Greqisë, Italisë dhe vendeve të tjera të Europës. Specialistë pohojnë se asokohe rreth 450 mijë shqiptarë u larguan nga vendi. Shqipëria pluraliste dhe demokratike u përball edhe me një tjetër valë emigrimi pas trazirave të marsit 1997 dhe pas luftës në Kosovë në vitin 1999. Censusi i vitit 2001 flet për 3.069.275 shqiptarë brenda territorit. Në 12 vjet vetëm zyrtarisht u larguan nga Shqipëria 113.142 banorë.

Çdo ditë njihemi me shifra që flasin për braktisje dhe zvogëlim të banorëve brenda kufirit shqiptar, kryesisht të rinj, që si pasojë kanë sjellë edhe plakjen e popullatës; të dhëna, që na vrasin veshin përditë e më shumë në kronika televizive apo në raporte të institucioneve vendase dhe të huaja.

Të rinjtë, por edhe familje shqiptare, kanë zgjedhur largimin nga Shqipëria për një të ardhme që siguron më shumë. Në vitin 2012 të dhënat e Eurostat-it e listojnë Shqipërinë me një popullsi me rreth 2.9 milionë banorë dhe në vitin 2022 Shqipëria tkurret në 2.8 milionë. Vetëm në dhjetë vjet zyrtarisht u larguan nga vendi më shumë se 100 mijë shtetas shqiptarë. INSTAT raporton një shifër më të vogël. Më 1 janar 2023 Shqipëria numëron 2.761.785 banorë. Nuk janë vetëm krahina të thella, të lëna në harresë për shkak të natyrës së egër dhe mungesës së infrastrukturës, por edhe fshatra, që shtrihen fare pranë qyteteve. Ky fenomen i shoqërisë shqiptare është kthyer tashmë në një plagë dhe në një vatër infeksioni, ende të pashërueshme.

Britania e Madhe i ka tërhequr të rinjtë shqiptarë dhe është kthyer një ndër destinacionet e preferuara për emigrantët. Ky shtet prej vitesh përballet me flukse emigrantësh nga vendi ynë, të cilët zgjedhin mënyra ilegale për të kaluar kufirin. Rreth 33.000 emigrantë kanë hyrë në Britani në mënyrë të paligjshme në nëntë muajt e parë të vitit 2022, ku nga kjo shifër 11.241 emigrantë ishin të ardhur nga Shqipëria.

Shpeshherë emigrimi i shqiptarëve jashtë vendit është shoqëruar edhe me shqetësime nga vendet pritëse. Në vitin 2022 u shënua edhe sulmi i parë ndaj emigrantëve shqiptarë, i cili erdhi nga një zë i fuqishëm brenda qeverisë angleze. Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, në fjalën e saj në një seancë të zakontë, parlamentare, i cilësoi shqiptarët si persona me rekorde kriminale. Ky cilësim i shqiptarëve nga ana e një zyrtari në Mbretërinë e Bashkuar ngjalli dhe protestën e diasporës shqiptare atje, ku ndër të tjera nuk mungonin tabelat, të cilat në formë proteste iu tregonin qeveritarëve britanikë kontributin e shqiptarëve në jetën ekonomike dhe kulturore. Deklarata e Braverman-it ngjalli dhe reagimin e politikës shqiptare.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në X, u shpreh se Mbretëria e Bashkuar duhej të ndalonte diskriminimin e shqiptarëve. Sipas tij, me anë të retorikës së bërë ndaj shqiptarëve politika britanike po përpiqej që të justifikonte dështimet e saj.

“70% e 140.000 shqiptarëve, që janë shpërngulur në Mbretërinë e Bashkuar, jetonin në Itali dhe në Greqi. 1.200 prej tyre janë njerëz të biznesit. Shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Britania e Madhe duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave”, – shkruante Rama në X.

Të dhëna të tjera, të siguruara nga INSTAT, flasin për një numër më të lartë të emigrimit të shqiptarëve përtej kufirit. Nga viti 2011 deri në vitin 2022 zyrtarisht janë larguar nga vendi 512,200 qytetarë.

Gjermania është një tjetër shtet, që prej disa vitesh po përballet me një fluks të lartë të emigrantëve shqiptarë, të cilësuar në atdhe si “truri i kombit”. Me anë të politikave lehtësuese shteti gjerman ka arritur që të kthehet në destinacion për profesionistët shqiptarë, të cilët ushtronin në atdhe profesionin si mjekë, infermierë, ekspertë në IT apo edhe inxhinierë.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ambasada Gjermane, vetëm në vitet 2020, 2021 dhe 2022 rezultojnë 24.689 viza të lëshuara në total për qëndrime afatgjata për qytetarët shqiptarë, nga të cilat 11.844 viza janë dhënë pikërisht për kategoritë: punësim, shkencëtar, kualifikim profesional apo për praktika të ndryshme.

Vihet re se përgjatë këtyre 3 viteve ka një trend në rritje të kërkesave të shqiptarëve drejt shtetit gjerman. Konkretisht, në vitin 2020 rezultojnë 5.427 qytetarë shqiptarë, që kanë përfituar viza afatgjata, në vitin 2021 rezultojnë 7.509 qytetarë, ndërsa në vitin 2022 rezultojnë 11.753 qytetarë.

Ndërkohë, të dhëna të tjera jep Ambasada Franceze në Tiranë për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore. Gjatë periudhës 2019-2023 mbi 10.500 shtetas shqiptarë i janë drejtuar edhe shtetit francez për një jetë më të mirë. Nga të dhënat e përfaqësisë franceze në Shqipëri, imigrantët shqiptarë listohen në vendin e parë në kategorinë e 10 kombësive kryesore, që i janë drejtuar Francës për një jetë më të mirë. Shqiptarët ndiqen nga rumunët, marokenët, afganët, algjerianët etj. Në vitin 2023, ndonëse numri i imigrantëve shqiptarë në Francë ka pësuar një ulje me 36%, sërish listohen në vendin e tretë të 10 kombësive, që kanë pasur më shumë imigrantë në vendin pritës. Gjatë vitit 2023 numërohen 1.439 shqiptarë si imigrantë në shtetin francez, duke qëndruar pas Algjerisë dhe Gjeorgjisë, ndërkohë që pas shqiptarëve listohen marokenët, afganët, rumunët, turqit dhe popullsi të tjera nga vendet e Lindjes.

Në periudhën e fundit përfaqësitë diplomatike në Shqipëri kanë luajtur një rol të rëndësishëm në lejimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt shteteve të ndryshme, europiane. Një analizë e të dhënave tregon një rritje të konsiderueshme të numrit të vizave të lëshuara për qytetarët shqiptarë, veçanërisht drejt Gjermanisë dhe Francës.

Gjatë periudhës 2020-2022 në Shqipëri u lëshuan gjithsej 24.689 viza drejt shtetit gjerman, duke treguar një trend rritës në kërkesën për lëvizje në këtë vend. Në vitin 2020 u lëshuan 5.427 viza afatgjata, ndërsa në vitin 2021 ky numër u rrit në 7.509 dhe në vitin 2022 arriti në 11.753.

Kjo tregon një rritje graduale të kërkesës për një qasje afatgjatë në Gjermani nga qytetarët shqiptarë.

Në të njëjtën kohë, nga viti 2019 deri në vitin 2023, u lëshuan gjithsej 10.500 viza drejt shtetit francez. Kjo tregon një vazhdimësi të interesit për lëvizjen drejt Francës.

Këto të dhëna reflektojnë njëherësh edhe numrin e lartë të kërkesave të qytetarëve shqiptarë për të emigruar.

E ndërsa shifrat flasin për një nivel të lartë largimesh, shpopullimi apo braktisja e vendit konsiderohet nga ekspertët si rreziku më i madh që i kanoset Shqipërisë. Ata rendisin një sërë faktorësh të ndryshëm, që i kanë detyruar shqiptarët të marrin udhët e emigrimit.

Profesori i shkencave sociologjike, Zyhdi Dervishi, largimin e shqiptarëve nuk e quan thjesht një ikje nga vendi, por një dëbim masiv.

“Problemet e krijuara në infrastrukturë, në drejtësi, në arsim, në shëndetësi po i dëbojnë shqiptarët nga Shqipëria. Kjo është dhimbja më e madhe.”, – shprehet sociologu Dervishi.

Ndërkohë që faktorët e shpopullimit janë të ndryshëm dhe lidhen me shumë aspekte jetësore, sipërmarrësi Gjergji Gjika arsyet e emigrimit i lidh me ekonominë vendase.

“Sistemi ekonomik nuk siguron dot që t`i mbajë qytetarët e vet me jetë normale në vendin e vet!”, – shprehet Gjika për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore.

Duke iu referuar numrit të lartë, që raporton herë pas here media në lidhje me shpopullimin, shifra, të cilat, nëse nuk zbuten dhe nuk frenohet ky fenomen i shoqërisë, për sociologun Gëzim Tushi në vitin 2050 Shqipërisë do t`i mbeten 1.5 milionë banorë.

“Nuk po largohen njerëz, që janë të papunë, po ikën shtresa e mesme e shoqërisë, po largohen profesionistë, njerëz me status në shoqëri, që kanë të ardhura relativisht të mira. Ky është problem shumë i madh. Nëse do të rriten shifrat e divorcit, bie lindshmëria dhe shoqëria do të bëhet e thinjur.”, – tha Gëzim Tushi.

Të tjerë specialistë për arsyet që kanë nxitur shpopullimin e vendit, e drejtojnë gishtin e fajësisë në arsim. Ekspertja e çështjeve të arsimit, Majlinda Keta, thotë se të rinjtë largohen nga vendi për një shkollim më të mirë.

“Ajo që ne i kemi vjedhur rinisë, të gjithë bashkë, është besimi se të aftët do jenë në krye të piramidës dhe do ta ndryshojnë vendin.”, – u shpreh Keta.

Prej vitesh emigrantët shqiptarë, ilegalë kanë qenë në fokus të kronikave dhe të artikujve të mediave ndërkombëtare, konkretisht në ato britanike, për sa i përket mënyrës së kalimit të kufirit të shtetit ishullor, si dhe numrit të tyre, të madh.. Një pjesë e emigrantëve ilegalë janë rikthyer në atdhe. Sipas BBC, “vetëm në vitin 2022 më shumë se 500 emigrantë shqiptarë, ilegalë janë rikthyer nga autoritetet britanike në Shqipëri”.

“Në fund të shtatorit 2022 gati 900 shqiptarë u larguan nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa 469 të tjerë u kthyen vullnetarisht”, – shkruan BBC.

Rruga e guximit: Emigrimi nga Kukësi në Londër

Largimi i shqiptarëve nga vendi i tyre drejt Britanisë së Madhe ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. The Guardian shkruante një vit më parë se 28% e shqiptarëve të mbërritur në Britaninë e Madhe gjatë vitit 2022 kishin arritur të kalonin kufirin, duke përdorur si mjet udhëtimi gomonet. Sipas statistikave të shtetit britanik, 85% e shqiptarëve kishin aplikuar për azil, ndërkohë që 12% e tyre janë kthyer në viktima të skllavërisë moderne.

Në një kohë që të rinjtë shqiptarë kërkojnë të largohen drejt Britanisë së Madhe, pas krahëve lënë një boshllëk në familjet e tyre. Në morinë e krahinave të braktisura renditet edhe fshati Palush në komunën e Bushtricës në Kukës. Përpara viteve `90 kjo komunë numëronte rreth 5.000 banorë, sot kanë mbetur më pak se 1.200. Të rinjtë nuk numërohen as me gishtat e duarve. Pjesa dërrmuese e tyre kanë zgjedhur të prekin ëndrrën britanike. Florian Palushi, i vetmi 30-vjeçar që ka mbetur në fshat, ka tentuar disa herë që të emigrojë drejt Londrës. Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e punësimit e kanë detyruar që të rrezikojë shpeshherë edhe jetën, vetëm për një të ardhme më premtuese.

Florian Palushi, banor i fshatit Bushtricë, Kukës

Mes maleve me pyje përrallorë, me një klimë të shëndetshme dhe ajër të pastër, Bushtrica nuk i ka shpëtuar vëmendjes së turistëve të huaj. Nuk i mungon asgjë, veç infrastrukturës së nevojshme dhe frenimit të largimit të vazhdueshëm të banorëve. Bushtricës i mungojnë banorët e ikur. Kjo bujtinë e ngritur enkas për të ndalur sadopak shpopullimin, thërret nevojën për punonjës, pasi Halitit dhe familjes së tij iu duhet njëkohësisht të mbulojnë detyrat e kamerierit, të sanitares, të kuzhinierit dhe të ndihmëskuzhinierit. Ata janë në kërkim të punonjësve të rinj që prej pesë vjetësh, që kur vendosën që të zhvillonin agroturizmin në këtë krahinë.

Ndonëse kemi hyrë në vitin 2024, banorët thonë se problemet me infrastrukturën rrugore dhe energjinë elektrike, edhe pse për ironi të fatit në Bushtricë ndodhet hidrocentrali me të njëjtin emër, që prodhon energji, këto shqetësime vijojnë të bashkëjetojnë me këta pak banorë të mbetur në këto zona. Mungesa e mbështetjes dhe mungesa e subvencioneve të strukturave qeveritare bënë që projekte të tjera në zhvillimin e turizmit të mbeten në letër, madje këto problematika kanë nxitur në heshtje largimin e banorëve dhe si pasojë shpopullimi i fshatrave ka detyruar mbylljen me forcë edhe të institucioneve të arsimit të detyrueshëm. Mes 8 shkollave të mbyllura në Kukës është edhe ajo e fshatit Bushtricë. Tashmë prej tre vjetësh asnjë nxënës nuk merr dije në shkollën 9-vjeçare, e kthyer në një ngrehinë, që po rrënohet ditë pas dite.

Numri i shkollave, që kanë mbyllur dyert e dijes, është i lartë dhe shqetësues. Mirgen Kastrati, specialist pranë Zyrës Vendore të Arsimit Para-universitar në Kukës, tregon se përgjatë viteve të fundit në këtë qark janë mbyllur 8 shkolla, kryesisht në zonat rurale, të cilat thekson se ishin shkolla vartëse.

“Aktualisht, në qarkun e Kukësit janë 22 shkolla, ndër të cilat 18 janë shkolla 9-vjeçare, një shkollë është e mesme, gjimnazi Havzi Nela, dhe dy janë shkolla të mesme, të bashkuara.”, – citon shifrat specialisti Kastrati.

Nga ana tjetër, nuk janë vetëm shkollat e arsimit para-universitar, që kanë mbyllur dyert e dijes për këta banorë. Në Kukës, pas 9 vitesh u mbyll përfundimisht filiali i Universitetit të Tiranës. Ministria e Arsimit nuk shpalli kuota të reja për këtë universitet që në vitin 2014 dhe po në këtë vit, pasi përfunduan studimet e nisura para vitit 2014, në ditën e parë të vitit akademik në auditorët e këtij filiali nuk u ul asnjë student.

Mbyllja e filialit të Universitetit të Tiranës në fakt ishte paralajmëruar nga Ministria e Arsimit dhe nga qeveria shqiptare në fillim të vitit akademik 2014-2015, duke mos dhënë kuota për dy vitet e ardhshme.

Rreth 1.100 studentë të Ekonomisë, të Infermierisë, të Gjuhëve të Huaja e përfunduan ciklin universitar, deri para se të dilte urdhri nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit për mbylljen e tij.

Kujtojmë se ky universitet u hap në nëntor të vitit 2007 me 73 studentë, ndërsa në vitin 2011 kishte 620 studentë në degët: Administrim Biznesi, Infermieri dhe Gjuhë Angleze.

Shpopullimi ka zënë rrënjë të thella, jo vetëm në krahinat dhe në rajonet përreth, por edhe në Kukës. Midis viteve 2018-2023, sipas të dhënave të siguruara nga INSTAT, evidentohet një rënie e vazhdueshme e popullsisë në këtë qark. Gjatë këtij harku kohor çdo vit rreth 1.000 banorë u larguan përfundimisht nga Kukësi. Konkretisht, në vitin 2018 në këtë qark regjistroheshin 77.394 banorë, ndërsa në vitin 2023 të dhënat tregojnë se janë 71.498 banorë. Matematika e të dhënave zyrtare flet për 5.896 banorë të larguar.

Këto të dhëna e rendisin Kukësin qarkun e dytë nga fundi për sa i përket peshës së popullsisë në rang kombëtar, konkretisht me rreth 2,6% të popullsisë gjithsej.

Përqindjet e paraqitura në grafik tregojnë rënien e vazhdueshme të dendurisë së popullsisë në 12 qarqet që ka Shqipëria. Më 1 janar të vitit 2023 në qarkun e Kukësit jetonin 30 banorë për km². Kjo shifër e ulët solli edhe rënie të ndjeshme të numrit të nxënësve dhe si pasojë mbyllje të shkollave.

Por, përtej shpopullimit, ky fenomen ka krijuar probleme edhe për sa i përket fuqisë punëtore, aktive dhe bizneseve të mbetura në këtë zonë. Sipas informacioneve të marra nga Zyra e Punës, Kukës, rezulton se në këtë qytet janë 4.149 punëkërkues të papunë, ndër të cilët 3.759 janë punëkërkues të papunë, të regjistruar në zona urbane. Nga punëkërkuesit e papunë, të regjistruar evidentohet se 1.012 prej tyre janë të moshës 50 vjeç e sipër, ndërsa 615 janë të grupmoshës 40-45 vjeç. Ndërkohë, pranë Zyrës së Punës figurojnë 358 subjekte aktive, të regjistruara.

Rënia e fuqisë punëtore dhe kërkesa e bizneseve të vogla e të mëdha për punonjës reflektohet kudo. Bizneset, që kanë nevojë për punonjës, i përkasin natyrave të ndryshme: shërbime, agroturizëm, bujqësi dhe turizëm. Hate Ora është ndër të vetmet artizane të këtij qyteti. Ajo vijon traditën e hershme të qilimave prej më shumë se 40 vjetësh. E mban në këmbë këtë biznes të vogël me mbështetjen e vajzës dhe të bashkëshortes së djalit. Ajo thotë se ka shumë kërkesa për prodhimin e qilimave artizanalë, por has vështirësi në rekrutimin e të rejave kuksiane, pasi pjesa dërrmuese janë larguar.

Hate Ora, artizane në Kukës

Kjo është vetëm një pjesë e realitetit kuksian, largimi i fuqisë punëtore ka vënë në vështirësi edhe biznesin e vogël. Nëpër rrugët e qytetit ndeshesh me dyer apo me qepena dyqanesh të mbyllura për të mos u hapur më.

Në fakt, kjo është një dukuri, që është përhapur në mbarë vendin, bizneset përballen me sfida të mëdha, duke përfshirë koston e lartë të operimit dhe mangësitë në infrastrukturë. Kjo bën që shumë biznese të kenë vështirësi për të operuar me sukses. Në rang kombëtar numri i bizneseve të falimentuara figuron në rritje përgjatë periudhës 2013-2022. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, rezulton se përgjatë kësaj periudhe janë mbyllur 145 mijë biznese në Shqipëri. Ndërkohë, mbi 40% e ndërmarrjeve të mbetura janë në mbijetesë, pasi kanë penalitete dhe kamatëvonesa nga rritja e taksave dhe nga rënia e fuqisë blerëse. Vetëm për vitin 2023 rezultuan të çregjistruar në Regjistrin Kombëtar të DPT 3.100 tatimpagues, të cilët i përmbushën dhe detyrimet ligjore.

Ata që zgjedhin të largohen nga fshatrat dhe qyteti, janë kryesisht të rinjtë. Pjesa e mbetur e qytetit vuan mungesën e shërbimeve shëndetësore, arsimore dhe punësimit. Eksperti i çështjeve të emigracionit, Rifat Demalia, njëkohësisht edhe përfaqësues i Qendrës Për Progres Rinor, thotë se është e pamundur që një organizatë e vetme t`i frenojë largimet masive dhe të punojë në fuqizimin e të rinjve. Ai shton më tej se nga viti 2018 ka pasur një valë largimesh të rinisë dhe që nga ajo periudhë interesi për t`u larguar nga Kukësi ka ardhur në rritje. Shkaku i largimit është mungesa e ndërhyrjes së të gjitha institucioneve për të krijuar mundësi për të rinjtë dhe politika të qëndrueshme, afatgjata.

Ndërkohë, drejtori i Spitalit Rajonal të Kukësit, Sulejman Sokoli, thotë se spitali që ai drejton i përmbush kërkesat e banorëve. Për shkak të largimeve masive personeli është në gjendje që ta përballojë fluksin e ulët të pacientëve.

“Ka qendra shëndetësore dhe nuk ka familjarë, kryesisht kjo vihet re në fshatra, që janë braktisur nga banorët ose kanë mbetur shumë pak.”, – u shpreh mjeku ortoped, njëherësh drejtues i spitalit të Kukësit.

Pavarësisht problematikave të shumta, qeveria shqiptare vendosi t`i japë një tjetër mundësi zhvillimit të rajonit, duke ndërtuar aeroportin Zayed – Flatrat e Veriut. Aeroporti i Kukësit u promovua si një njësi e rëndësishme që do të kishte ndikim pozitiv në ekonominë e këtij qarku. Me kalimin e kohës u bë e qartë që aeroporti do të funksiononte vetëm me sezone të përcaktuara, deri në momentin që kompanitë i ndërprenë përfundimisht fluturimet. Fluturimet patën intervale ndërprerjesh sidomos gjatë sezonit dimëror, për shkak edhe të terrenit të vështirë që ka ky qark.

Në planin fillestar të menaxhimit të aeroportit u parashikua që rreth 1.100 njerëz do të punonin për të gjitha shërbimet që ofron aeroporti, por sot janë rreth 80 punëtorë, pjesa më e madhe e tyre i përkasin njësive të administrimit dhe mirëmbajtjes.

Florian Palushi: Rruga nga Belgjika drejt Londrës

Nuk është vetëm eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, që thekson nevojën e menjëhershme për politika frenuese të emigrimit, por ai ndalet te ndikimi që migrimi dhe emigrimi ka sjellë në ekonominë vendase. Ai thotë se migrimi i brendshëm ka ndikuar negativisht në zonat rurale, të cilat janë shpopulluar dhe ka sjellë një mbingarkesë për kryeqytetin, ndërsa emigrimi masiv jashtë Shqipërisë ka ndikuar negativisht në punësim, pasi nevoja për punëtorë po rrezikon edhe sistemin e pensioneve si pasojë e mungesës së kontribuuesve.

“Aktualisht ka 1.3 kontribuues për 1 pensionist, dikur kanë qenë 4 kontribuues për 1 pensionist.”, – referon Xhepa rënien e kontributorëve.

Për ekspertin Selami Xhepa probleme të tilla hasen edhe në sistemin shëndetësor. Duke i bërë apel shtetit për ndërhyrje të menjëhershme, ai thotë se jashtë vëmendjes janë lënë edhe fermerët dhe bujqit.

Tirana po mbledh popullsinë vendase

Deri më tani kemi sjellë dëshmi dhe të dhëna vetëm për Kukësin, si qarkun me numrin më të lartë të shpopullimit. Tani kthehemi në kryeqendrën e shqiptarëve. Tirana, kryeqyteti mbi njëqindvjeçar, ka arritur të mbledhë brenda vetes numrin më të lartë të popullsisë vendase. Ndoshta kjo ndodh për shkak të mundësive më të mëdha të punësimit, por, sipas ekspertëve, kostot e larta të jetesës po largojnë, jo vetëm të rinjtë, por edhe specialistët dhe të arsimuarit. Ndryshe nga qytetet e tjera, që vuajnë nga shpopullimi, Tirana nuk ka pësuar rënie të popullsisë, përkundrazi, e ka rritur numrin në 925.268 banorë, duke marrë kështu më shumë se 2/3 e popullsisë shqiptare.

Edhe pse Tirana ka mbledhur pranë vetes numrin më të lartë të popullatës, kërkesa për punonjës është ende e lartë. Dhjetëra biznese kërkojnë çdo ditë të zëvendësojnë punonjësit që largohen.

Sipas ekspertit të punësimit, Emin Shini, problematikat e tregut të punës në Shqipëri janë të shumanshme, edhe pse niveli i papunësisë mbetet ende i lartë. Ai thekson se ekziston një faktor i pashpjegueshëm, pasi kërkesa për fuqi punëtore është shumë e lartë. Largimi i shqiptarëve është tashmë një fenomen i njohur nga të gjithë. Faktori kryesor i këtij largimi, sipas Shinit, është lidershipi në Shqipëri, jo vetëm nga aktorët e biznesit, por edhe në shoqëri.

 “Të rinjtë sot mendojnë se si ta përmirësojnë jetesën, shumë kompani nuk e kuptojnë këtë kërkesë, ndaj ekziston ky paradoks, që ka shumë kërkesë për punësim, por edhe papunësia qëndron e lartë”, – u shpreh specialisti i punësimit, Emin Shini.

Ndërsa Shqipëria ka ndërmarrë herë pas here nisma për të frenuar largimin e fuqisë punëtore, këto përpjekje nuk kanë qenë të suksesshme. Po ashtu, zëvendësimi i tyre me emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Sipas ekspertit të ekonomisë, Alban Zusi, tregu shqiptar nuk ka nevojë për emigrantë të huaj, që e përdorin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e Europës. Vendi ynë ka nevojë për burime të afta, njerëzore, që dinë të ndërtojnë, të krijojnë marrëdhënie, të bëjnë kërkim shkencor dhe të na përfaqësojnë denjësisht.

“Na mungojnë punonjësit e zakonshëm, elektricistët, kamerierët. Ndonëse patëm një boom turistik, nuk patëm rritje të konsumit. Patëm rënie të importeve në një nivel me eksportet. Kemi një tkurrje ekonomike.”, – nënvizon sipërmarrësi Zusi.

Ndërsa sipërmarrësi Gjergji Gjika e lidh emigrimin më shumë me problemet e sistemit ekonomik sesa me pagat e pamjaftueshme. Ai vë në dukje qindra fshatra, ku tokat kanë mbetur djerrë dhe të pashfrytëzuara.

“Nuk ka njerëz që ta punojnë tokën, të mbjellin domaten, specin, pataten. Ky është një fenomen i dhimbshëm. Nuk po largohet vetëm një sektor, po ikën një Shqipëri e vogël”.

Numri i bizneseve, që vuajnë nga mungesa e fuqisë punëtore, është i lartë. Arturi, një i ri shqiptar që është kthyer nga Greqia, prej dhjetë vjetësh e mban gjallë sipërmarrjen e tij në Tiranë në fushën e riparimit të auto-veturave. Ai tregon se është përballur me vështirësi që në muajin e parë, por ëndrra dhe dëshira për të qëndruar pranë familjes, e kanë nxitur të rikthehet në atdhe.

“Kam më shumë se katër muaj që kërkoj të punësoj një ekonomist për biznesin që zotëroj. Përveç kësaj kam edhe mungesë personeli në sektorin e mekanikës. Shumë djem, që i kam punësuar, pasi janë aftësuar, janë larguar. Pjesa e tyre më e madhe kanë emigruar në Gjermani. Kanë filluar punë nëpër servise jashtë Shqipërisë”, – shprehet i riu nga Tirana.

Arsimi është një sektor i rëndësishëm, që pritet të furnizojë bizneset me burime njerëzore.

Sipas hulumtimeve të ekspertes Majlinda Keta, 4% e popullatës largohet nga vendi për të ndjekur një arsimim më të mirë. Ajo thekson se studentët shqiptarë kanë humbur besimin dhe nuk shpresojnë më se vendi do të përmirësohet një ditë.

Isa Halilaj, zëvendëspresident i Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Shqipëri, vë në dukje se buxheti në sistemin para-universitar është i pamjaftueshëm. Ai thekson se Shqipëria renditet nga Banka Botërore ndër vendet që shpenzojnë më shumë sesa të ardhurat për arsimimin e fëmijëve. Kjo, sipas tij, shprehet edhe në numrin e lartë të maturantëve, që zgjedhin të studiojnë në Europë.

“Vetëm 3.5% e GPT e buxhetit të shtetit është shumë pak dhe sjell paga jo të mjaftueshme për mësuesit dhe ata iu drejtohen profesioneve të tjera, por edhe cilësia dhe mënyra se si merret arsimi janë kthyer në nxitës të migrimit. Janë më shumë se 3.000 studentë, që kanë zgjedhur vendet e Europës.”

Ndërsa arsimi mbetet një hallkë kryesore dhe e rëndësishme për një shoqëri të zhvilluar, në Shqipëri pasojat e emigrimit po dalin në sipërfaqe gjithnjë e më shumë. Në një distancë jo shumë larg qendrës së Tiranës, rreth 20 km ose 20 minuta me makinë, ndodhet fshati Mumajes, pjesë e Njësisë Administrative Baldushk. Pamjet e shtëpive të braktisura duket sikur janë marrë nga skenat e një filmi të frikshëm apo nga kronikat e vendeve të prekura nga lufta, por realiteti është i kundërt, këto banesa janë lënë në harresë, sepse janë braktisur nga vetë ata që i kanë ndërtuar. Sot, aty nuk banon askush.

Elez Allmuça, banor i fshatit Mumajes, Tiranë
 

Sokol Allmuça, një i ri, i cili ka lindur dhe është rritur në fshatin Mumajes, rrëfen se edhe ata 50 banorë, që ishin aty deri para pesë vitesh, u larguan përfundimisht. Duke sjellë në kujtesë kohën e fëmijërisë, kur bashkoheshin me shokët për të formuar një skuadër futbolli, ai përmend me nostalgji emrat e shokëve, të cilët kanë emigruar në Itali, në Francë, në Gjermani dhe në Angli.

“Kam pasur 200 kokë dele, kam dashur të emigroj edhe unë, por nuk munda. Jam penduar, por këtu nuk ka mbetur më askush. Energjia elektrike mungon, ujë të pijshëm nuk ka. Të mos flasim më për kushte të tjera, jetike.”, – shprehet i riu nga Baldushku.

Edhe pse tani ky fshat, i cili shtrihet mbi një kodër të bukur, është i shkëputur nga aktiviteti dhe nga jeta, përsëri mundi të ruajë traditat e zonës deri në fund të viteve `90, kohë kur modernizimi fillimisht i zëvendësoi zakonet e vjetra. Për 83-vjeçarin Elez Allmuça çdo ditë shënon një tjetër rënie të banesave të fshatit, ku ai dhe gjenerata e familjes së tij janë rritur dhe kanë kultivuar jetën e tyre.

“Në Mumajes ka pasur familje dhe fise me tradita, ka pasur fëmijë, çerdhe e dyqane. Ka qenë shumë mirë, derisa filluan largimet e para në fillim të viteve `90 e më pas në vitet 2000. Sot kam mbetur vetëm unë.”, – shprehet i moshuari.

Për sociologun Zyhdi Dervishi pasojat e emigrimit masiv i kanë transformuar marrëdhëniet brenda familjeve dhe kanë prodhuar një shoqëri më pak të shëndetshme dhe që nuk është e qëndrueshme.

“Fëmijët që rriten me mungesën e figurës së nënës, të babait, janë fëmijët e rritur me kontradikta, janë më të stresuar, ata nuk përparojnë, efekti vjen zinxhir; ata nuk shkojnë në universitete, por pasojat i vuajnë edhe prindërit me fëmijë emigrantë. I kalojnë vitet e mbetura të vetmuar apo nëpër azile. Më shumë vuajnë se sa jetojnë.”

Edhe pse Rruga e Arbrit ka qenë një projekt i diskutuar për vite me radhë dhe u pa si një shpresë për qindra e mijëra banorë të shumë fshatrave në të kaluarën, shpopullimi i këtyre zonave nuk mundi të ndalohej as me ndërtimin e kësaj rruge të madhe. Për shembull, në morinë e fshatrave Zall Dajt dhe Zall Bastar shtrihet edhe Guri i Bardhë. Edhe pse fshati i shkrimtarit të letërsisë së vjetër shqipe, Pjetër Budi, ndodhet afër Tiranës, ai tani i përket Njësisë Administrative Klos. Shtëpia muze, e ndërtuar rreth viteve 1500, që u trashëgua brez pas brezi nga shkrimtari Budi, është vetëm një prej shumë pasurive të braktisura. Banorët e paktë, që kanë mbetur, thonë se fshati është banuar kryesisht nga të moshuarit, ndërsa fëmijët janë larguar për të gjetur kushte më të mira në arsim, punësim dhe shëndetësi.

“Që kur erdhi demokracia, jam marrë gjithmonë me bujqësi dhe blegtori. Kam pasur 70 kokë dele, sot kam vetëm 7 kokë. Fëmijët u larguan, sepse nuk kemi kushte, rrugë nuk ka, shkolla e mesme u mbyll. Nga qeveria dhe nga shteti nuk kemi pasur asnjë lloj mbështetjeje, çdo gjë e kemi bërë me forcat tona.”, – shprehet Kadri Çollaku, banor i fshatit Gur i Bardhë.

Resul Baleta, kryetar i fshatit Gur i Bardhë, thekson se shpopullimi ka ndodhur si rezultat i mungesës së vëmendjes së qeverive në të kaluarën. Ai kujton kohën, kur fshati kishte një shkollë, një gjimnaz me 40 nxënës, dyqane ushqimore, një furrë buke, magazina, një mensë dhe të gjitha shërbimet e tjera, që e bëjnë një fshat të banueshëm.

“Në lagjen time nuk ka më asnjë fëmijë, kemi mbetur vetëm dy familje, dy çifte të moshuarish.

Në shkollën e fshatit gjithsej janë 12 nxënës, që zhvillojnë mësim në klasa kolektive. Kur kemi ndonjë shqetësim shëndetësor, udhëtojmë drejt Klosit, pasi në Qendrën Shëndetësore nuk ka mjek”, – shprehet Resul Baleta.

Ky fshat, i cili ballafaqohet me sfidat e shpopullimit, është përpjekur që t`i mbajë me forcë banorët e fundit. Avni Hysa është një ndër ata që u kthyen nga emigrimi në fillim të vitit 2022. Ai vendosi që t`i investojë kursimet e fituara në emigracion në fshatin e tij të lindjes, duke hapur një biznes agroturistik. Megjithatë, mungesa e infrastrukturës rrugore dhe vështirësitë në rekrutimin e punonjësve e bëjnë punën në bujtinën e tij të vështirë.

“Nuk e kemi vetëm ne këtë problem, edhe fshatra të tjerë i kanë këto vështirësi. Punonjësit nuk vijnë nga Tirana. Ka mbetur që t`i sjellim punëtorët nga Tailanda”, – shprehet sipërmarrësi i bujtinës.

Sociologu Gëzim Tushi e shikon braktisjen e këtyre fshatrave dhe vendeve të punës si një shqetësim të madh për shoqërinë shqiptare. Në përballimin e këtij realiteti ai beson se është e nevojshme të ndërmerren politika dhe strategji të shqyrtuara për t`i përballuar këto ndryshime dhe për të gjetur mënyra për t`i mbështetur komunitetet e prekura.

 “Detyrohemi që tregun e punës ta importojmë nga jashtë. Ka patur iniciativa, që kanë importuar punëtorë nga Lindja e Mesme për të plotësuar nevojat që ka tregu i punës, por edhe ata do të largohen një ditë.”, – shprehet sociologu Tushi.

Korça, mes shpopullimit dhe ndryshimeve sociale

Panorama e migrimit, e emigrimit dhe e shpopullimit ka prekur në mënyrë të ndjeshme shumë fshatra dhe qytete të tjera në Shqipëri. Situata është e ngjashme edhe në qarkun e Korçës. Biznesi vuan nga mungesa e fuqisë punëtore, shkollat mbyllen njëra pas tjetrës për shkak të mungesës së fëmijëve, ndërsa shtëpitë mbeten të braktisura, me çati të rrënuara. Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy, është prania e të moshuarve mes mureve të vetmisë.

Pesë kilometra larg qytetit shtrihet Drenova e Asdrenit, e njohur për rakinë e manit, për klimën e saj, të butë dhe tokat pjellore. Në hyrje të fshatit qëndron stoik monumenti i poetit të shquar, shqiptar dhe autorit të vargjeve të Himnit të Flamurit, Aleksandër Stavre Drenova. Ky fshat i bukur nën hijen e malit të Moravës duket se përjeton çdo ditë largimin e banorëve, disa në migrim dhe të tjerë në emigrim. Edhe këtu ata pak banorë që kanë mbetur, janë të moshuarit, duke u përballur me sfidat e vetmisë dhe të mungesës së rinisë.

Vangjel Nasi, kryeplaku i fshatit Drenovë, rrëfen se procesi i shpopullimit në këtë vend u nxit fillimisht rreth viteve `90, përforcohet më pas rreth viteve 2000 dhe më pas vala e fundit ishte e përmasave shkretuese. Ai vlerëson se fshatit i mungojnë drenovarët dhe më të rëndësishmit, fëmijët, të cilët janë simbol i shpresës dhe i rinisë për komunitetin.

“Shkolla e Drenovës kishte 800-900 nxënës, kanë mbetur 6 prej tyre. Thuajse të gjitha shtëpitë këtu janë të mbyllura.”, – u shpreh kryeplaku i Drenovës.

Rajmonda Hasimllari, mësuese në shkollën 9-vjeçare “Kiço Grabocka”, Drenovë

Me kalimin e më shumë se 30 viteve numri i banorëve në Drenovë është zvogëluar ndjeshëm.

Në një kohë kur ky fshat i bukur banohej nga rreth 4.000 banorë, sot numri i tyre nuk shkon në më shumë se 120, shumica e të cilëve janë të moshuar të vetmuar. Pasojat e shpopullimit ndihen në çdo cep të fshatit: rrugët janë bosh dhe të braktisura, dyert janë të mbyllura dhe institucionet e kanë të pamundur që të ofrojnë shërbime për shkak të mungesës së punonjësve.

Para dhjetë vitesh korridoret e shkollës 9-vjeçare “Kiço Grabocka” në Drenovë ishin plot me energjinë dhe zhurmën e nxënësve. Sot, godina e arsimit të detyrueshëm shërben vetëm për gjashtë nxënës… Rajmonda Hasimllari, mësuese për më shumë se 32 vjet në këtë shkollë, shprehet mes dhimbjes se mungesa e një klase të mbushur me shumë nxënës ndihet më shumë se kurrë.

“Zhvillimi i orëve të mësimit me klasa kolektive ka vështirësitë e veta, pavarësisht numrit të ulët të nxënësve. Më mungojnë klasat e mbushura me nxënës. Nuk mbaj mend se kur është kënduar për herë të fundit Himni i Flamurit.”, – u shpreh mësuesja Hasimllari.

Edhe ata pak fëmijë, që kanë mbetur në këtë shkollë, praktikisht të braktisur, janë në kërkim të një të ardhmeje më premtuese dhe më të sigurt. Ky realitet i përhapur nuk përjashton as zonat më të afërta të qyteteve.

“Kam ardhur nuse në këtë fshat dhe kështu e mbaj mend, asgjë nuk ka ndryshuar. Djali im kërkon shokë për të luajtur, por këtu kanë mbetur vetëm të moshuar. Fëmijët tanë po rriten në mungesë të jetës kulturore dhe të aktiviteteve të tjera. Nuk besoj se kjo gjendje do të ndryshojë një ditë, pasi njerëzit janë larguar nga Drenova.”, – shprehet Miral Nule, banore e fshatit Drenovë.

Pak më tutje shtrihet edhe fshati Boboshticë, i njohur për traditën e hershme të mikpritjes. Megjithatë, sot, gjithçka që mbetet është një peizazh i mohuar: rrugë të boshatisura, shtëpi të shkatërruara dhe shkolla pa nxënës. Antolina Çaprazi, një ish-mësuese në këtë zonë, kujton mes trishtimit kohët kur ky fshat ishte plot me zhurmën dhe gëzimin e fëmijëve.

“Fshatit nuk i mungonte asgjë, kemi mbetur vetëm ne, pleqtë, tek-tuk gjendet ndonjë fëmijë. Shkolla u mbyll, pjesa më e madhe e të rinjve u larguan, se nuk kishin asnjë mundësi punësimi këtu. Dasma e fundit, që është bërë këtu, nuk mbahet mend.”, – u shpreh e moshuara.

Në dallim nga fshatrat përreth Korçës, qyteti duket sikur nuk i përjeton problemet e shpopullimit. Megjithatë, të dhënat zyrtare tregojnë të kundërtën. Deri në vitin 2023 Korça numëronte zyrtarisht 192.925 banorë. Në një periudhë prej pesë vitesh, më saktësisht deri në vitin 2023, 17.253 banorë u larguan nga qyteti. Përballë këtyre lëvizjeve të vazhdueshme, Korça vazhdon të mbetet një destinacion i preferuar, turistik për vendasit dhe për ata që e vizitojnë Shqipërinë. Në veçanti, shumë fshatra përreth ofrojnë turizëm tërheqës në të dyja stinët, në dimër dhe në verë.

Korça shquhet si një ndër qytetet me turizëm dhe me bujqësi të zhvilluar në Shqipëri. Megjithatë, edhe pse një qytet i suksesshëm në këto fusha, Korça ka përjetuar një rritje të lartë në mbylljen e njësive të vogla të biznesit që nga viti 2014 deri në vitin 2021, krahasuar me qytetet e tjera në vend.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në të gjithë vendin në vitin 2021 ishin të aktivizuara 106.681 biznese me 1-4 punonjës, duke shënuar një rënie prej 1.4% krahasuar me vitin 2014. Në periudhën kohore prej 7 vitesh qarku i Korçës ka përjetuar numrin më të lartë të mbylljes së bizneseve. Përkatësisht, bizneset e vogla në këtë qark u reduktuan me 21%. Këto të dhëna tregojnë se zvogëlimi i numrit të bizneseve të vogla në qarqet turistike është rezultat i uljes së popullsisë në këto zona.

Në një kohë kur numri i bizneseve bie, papunësia shfaqet si një pasojë e padëshiruar. Projekte të ndryshme, të promovuara nga Bashkia e Korçës, synojnë që të nxisin zhvillimin kulturor të qytetit. Megjithatë, edhe pse ka një rritje të aktiviteteve ekonomike, numri i të rinjve, që largohen, vazhdon të rritet. Nënkryetarja e Bashkisë së Korçës thekson se, pas rikthimit të Korçës si një destinacion turistik numri i aktiviteteve ekonomike është në rritje. Megjithatë, në dallim nga qytetet e tjera Korça nuk ka shënuar një rënie në popullsi, sipas shifrave zyrtare, megjithatë shihet një braktisje fizike e qytetit nga banorët.

“Nëse i referohemi shifrave të Bashkisë së Korçës për numrin e popullsisë, mbeten shifra të pandryshuara. Nuk kemi një tendencë të ndjeshme rënieje, por as ndonjë tendencë rritjeje.

Janë 87.897 banorë vetëm në qytet dhe numri i popullsisë si bashki është rreth 200 mijë banorë”, – thotë nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, Belina Themeli, e cila thekson se, ndonëse banuesit e Bashkisë së Korçës janë larguar drejt Greqisë apo janë zhvendosur përkohësisht në Tiranë, sërish figurojnë taksapagues në këtë bashki.

Nga ana tjetër, ekspertët theksojnë nevojën e politikave dhe nismave urgjente për të frenuar emigrimin. Faktorë si ekonomia, pagat e ulëta, cilësia e dobët e arsimit dhe shëndetësia janë elementet kryesore, që i shtyjnë shtetasit shqiptarë drejt emigrimit në vendet e Bashkimit Europian.

Rajmonda Hasimllari, mësuese në shkollën 9-vjeçare “Kiço Grabocka”, Drenovë

Krenar Myrteza, edhe pse vetëm 22 vjeç, është një pionier në promovimin e turizmit në këtë qark. Duke udhëhequr një zyrë të vogël punësimi, ai bën përpjekje të mëdha për të gjetur punonjës për bizneset e qytetit. Megjithatë, ai pohon se viti 2023 ka qenë viti më i vështirë, pasi ka pasur më shumë vende të lira pune sesa kërkesa të disponueshme.

“Faktorët e largimeve janë nga më të ndryshmit, duke filluar me mungesën e infrastrukturës, qiratë e banesave dhe të biznesit, që janë rritur, por të rinjtë këtu kanë edhe një mungesë të theksuar të dëshirës për të punuar. Nuk është vetëm Korça, që ofron turizëm, është edhe Erseka dhe Pogradeci, por njerëzit janë larguar, shkollat kanë mbetur pa nxënës.”, – thotë i riu nga Korça.

Nevojën për punësim e konfirmojnë edhe bizneset më të njohura të qytetit, sipërmarrësit kërkojnë vazhdimisht punëtorë të rinj. Korça gjithashtu ka një jetë aktive, studentore, por shumica e studentëve të universitetit Fan S. Noli emigrojnë menjëherë pas përfundimit të studimeve universitare.

Artur Prifti, drejtor i Drejtorisë së Kurrikulës dhe Vlerësimit Institucional pranë universitetit Fan S. Noli, thotë se numri i studentëve ka ardhur duke u përgjysmuar.

“Për vitin akademik 2023-2024 u regjistruan 910 maturantë në 4 fakultete. Pavarësisht stimulimit monetar për “degët prioritare”, sërish numri i regjistrimeve në to është i ulët edhe për shkak të numrit të ulët të maturantëve. Janë afërsish 50-100 studentë në krahasim me vitin e shkuar.”, – u shpreh pedagogu Prifti.

Shifrat zyrtare të arsimit të lartë, referuar Institutit të Statistikave (INSTAT) në Shqipëri, dëshmojnë se universitetet po përballen me një boshatisje të vazhdueshme nga viti në vit.

Në vitin akademik 2022-2023 totali i regjistrimeve për arsimin e lartë ka qenë 121.352 studentë në të gjitha programet e studimit. Krahasuar me vitin 2021, ky numër ka shënuar një rënie prej rreth 2 për qind.

Nga viti në vit universitetet në qytete të ndryshme përballen me një rënie të thellë të numrit të studentëve. Në vitin akademik 2023-2024 mbi 3.000 studentë filluan vitin e ri në universitetin Fan S. Noli të Korçës, duke zgjedhur mes rreth 60 programesh të ndryshme. Ndër ta, 540 studentë u regjistruan për herë të parë, një numër që është rreth 60 studentë më pak se në vitin e mëparshëm. Programet më të kërkuara përfshinin ato të Fakultetit Ekonomik, Infermieri-Mami dhe degët e Sporteve. Situata më e vështirë ishte në degët e Filozofisë-Sociologjisë dhe të Ekonomisë, ku asnjë student nuk u regjistrua këtë vit. Si pasojë, Senati Akademik i Universitetit të Korçës i pezulloi programet studimore në këto degë.

Anxhela Ngjela, një studente 19-vjeçare e degës së Administrimit të Biznesit dhe Marketingut, tregon se në grupin e saj nuk ka më shumë se 17 studentë. Ajo shprehet se shumica e tyre janë larguar drejt Tiranës ose jashtë Shqipërisë.

“Në vitin e parë kemi qenë dy grupe, shumica e shoqeve, që kam pasur, kanë ikur në Tiranë, disa prej tyre edhe jashtë vendit. Unë punoj si specialiste marketingu dhe gjendem mirë në Korçë.

Nuk e përjashtoj mundësinë për t`u larguar edhe unë. Më ngacmon dëshira, pasi shoh në rrjetet sociale, që mikeshat e mia bëjnë një jetë më të mirë”, – u shpreh studentja e marketingut.

Ndërkohë që numri i shqiptarëve që largohen nga vendi dhe i atyre që dëshirojnë të largohen është në rritje të vazhdueshme, ndeshim edhe të rinj që zgjedhin të rikthehen në Korçë, në vendlindjen e tyre. Një prej tyre është Aleksandër Bardhoshi, i cili u kthye në vendlindje, kur ishte vetëm 17 vjeç. Arsyeja e kthimit ishte e lidhur me punën, pasi ai punon për kompani ndërkombëtare dhe përfiton nga ligji shqiptar, që e favorizon, duke e taksuar më pak sesa shteti grek. Kthimi në Korçë për Bardhoshin nuk është vetëm për qëllime punësimi, por edhe për të rikthyer lidhjet dhe ndjenjën e përkatësisë ndaj vendlindjes së tij.

“Më vret fakti që bashkëmoshatarët e mi duan të largohen. Shqipëria është një vend në zhvillim dhe këtu ofrohen mundësi të reja.”, – u shpreh 23-vjeçari nga Korça.

Popullsia e këtyre rajoneve është e ndikuar ndjeshëm nga shpopullimi, duke lënë pas një peizazh të shkallëzuar me sfida dhe mundësi. Në të gjitha këto qytete ikja e rinisë, zhvendosja nga fshati në qytet dhe emigrimi jashtë kufijve kanë shkaktuar ndryshime të mëdha, demografike. Megjithatë, me nevojën për inovacion dhe përmirësimin e politikave sociale dhe ekonomike ka shpresë për ta përmirësuar situatën dhe për t`i kthyer këto qytete në qendra tërheqëse dhe të qëndrueshme për të gjithë banorët e tyre.