Pas rikonfirmimit të Administratorit në krye të Klubit të Futbollit Bajram Ballabani, goditja për trajnerin e ri të skuadrës matjane ka qenë e menjëhershme. Skuadrën e Burrelit për sezonin 2021 – 2022 do ta drejtojë ish futollisti i këtij ekipi dhe shumë ekipeve të tjera të superligës, matjani Saimir Patushi. Administratori Ballabani në koordinim me presidentin e klubit Kryebashkiakun Agron Malaj dhe drejtorin teknik është vendosur përfundimisht se në krye të pankinës matjane do të jetë ish lojtari i “31 Korriku”-t Saimir Patushi.
 
Patushi ka një karrierë tepër të artë në futbollin shqiptar, pasi ai ka qenë pjesë e shumë ekipeve që kanë aderuar në elitën e futbollit shqiptar si Vllaznia, Bylis, Elbasani, Tirana. Tek kjo e fundit ka luajtur jo pak por gjashtë sezone radhazi.
 
Saimir Patushi ishte pjesë e shkodranëve të Vllaznisë kur kjo e fundit u shpall kampione e Shqipërisë.
 
Burime pranë klubit të futbollit Burreli thanë se trajneri tashmë defakto i Burrelit Saimir Patushi do të vijë të drejtojë skuadrën bashkë me stafin e tij teknik të marrë nga Tirana. Ende nuk ka shumë detaje të stafit, por mësohet se ndihmësit e tij do t’i sjellë nga kryeqyteti. Për Saimir Patushin do të jetë eksperienca e parë si trajner i një ekipi të rriturish që aderon në kategorinë e parë.