Matjanët kanë qëndruar jo vetëm një javë pa një drejtues të stafit teknik. Këtë të Hënë drejtuesit e Klubit të Futbollit “Burreli” prezantuan para skuadrës trajnerin e ri Alerti Alcani. Trajneri që do të marrë përsipër drejtimin e skuadrës matjane është një emër i njohur në futbollin shqiptar pasi ka qenë pjesë e disa ekipeve si Shënkolli, Besëlidhja, Kastriotit të Krujës etj.
Administratori i KF Burreli, Bajram Ballabani tha para sportistëve se tashmë përgjegjësia do të jetë e tyre dhe e trajnerit të ri. Ballabani kërkoi impenjim maksimal nga stafi dhe lojtarët për të arritur rezultatet e kërkuara.
Ndërkohë vetë trajneri Alcani kërkoi nga futbollistët korrektësi maksimale qoftë në stërvitje e qoftë në ndeshjet që do të luhen. Ai kërkoi gjithashtu seriozitet në misionin që kanë marrë përsipër dhe se nuk do të pranojë asnjë justifikim që nuk i shërben mbarëvajtjes së skuadrës.