Ashtu siç ishte paralajmëruar tre ditë më parë, skuadra matjane e futbollit është rikthyer në Burrel për tu bërë gati për kampionatin që do të startojë me datë 11 Shtator. Ekipi ka nisur stërvitjen menjëherë për të qenë gati në sfidën hapëse të këtij kampionati që pritet të jetë akoma edhe më i vështirë se ai që lam pas. Stafi teknik po punon për përgatitjen e lojtarëve që janë zyrtarizuar pranë skuadrës gjatë merkatos së verës, e nga ana tjetër, klubi po bën gati dosjet për t’i dërguar në FSHF për federim. Drejtori Teknik i Ekipit të Burrelit, Klevis Gjoka tha se stafi teknik po punon intensivisht për të përgatitur lojtarët për garën e vërtetë që nis pas 10 ditësh. Po ashtu, ai shtoi se janë bërë gati të gjitha dosjet e lojtarëve dhe do të dërgohen pranë federatës në ditët në vijim para mbylljes së afatit të vendosur prej tyre.
Matjanët do ta nisin këtë sezon të ri futbollistik të Kampionatit Kombëtar në kategorinë e parë, me datë 11 Shtator me ndeshje në transfertë ku do të luajnë kundër Tërbunit të Pukës.