Ekipi i futbollit “Burreli” është zyrtarisht pa trajner. Mësohet se trajneri i cili e mori detyrën në fillim të këtij viti Dorjan Bubeqi, është larguar nga skuadra matjane.
Burime pranë Klubit të Futbiollit “Burreli” thanë se Bubeqi e ka kërkuar largimin nga drejtimi i ekipit për arsyet e tija familjare dhe se nuk ka patur asnjë mosmarrëveshje me klubin. Bubeqi ka deklaruar tërheqjen të cilën e ka arsyetuar për shkak të largësisë me familjen e tij.
Dorian Bubeqi e mori drejtimin e ekipit të futbollit Burreli në fund të muajit Janar të këtij viti, ku me punën dhe përkushtimin e tij arriti që skuadra të zhvillonte ndeshje shumë të forta për pjesën e mbetur të kampionatit dhe ja doli mbanë për të siguruar qëndrimin në kategorinë e parë edhe për këtë sezon futbollistik.
Me largimin e Bubeqit nga drejtimi i ekipit, Klubi tashmë është vënë në lëvizje për të gjetur zëvendësuesin e tij, i cili pritet të marrë angazhimin për të formuar skuadrën e Burrelit për sezonin futbollistik 2023 – 2024.
Pas një periudhe pushimesh, ekipet e futbollit të kampionatit shqiptar nisin grumbullimin për të hyrë dalëgadalë në fazën e merkatos së verës që të jenë të gatshme në startin e sezonit të ri.