Nga: Samet Zagradi

-Dibra është një nga vendet më të pasura për sa i përket bukurive dhe atraksioneve natyrore në zonën e veriut. Pavarësisht mungesës së marketingut Dibra është është vendi që i ka të gjitha. Përveç Korabit, Lurës, Drinit e ushqimeve “Bio” sot do të flas për një nga perlat të cilat pa frikë mund ta quajmë “mrekullia mjedisore” që ndodhet fare pranë nesh. 

-Nëse ke pak kohë të lirë, dashuron natyrën bio, dhe do të qëndrosh të paktën disa orë larg çdo situate stresuese, bëj gati çantën, vish atlete, bluzë, tuta dhe eja të nisemi tek një mrekulli vetëm një orë larg qytetit të Peshkopisë. 

Duhet të udhëtojmë rreth 15 km në Njësinë Administative Arras, pranë fshatit Çidhën për të vizituar ujëvarën e Sopanikës dhe pranë saj ndodhet shpella e Sopanikës, ku rrjedh ujë nga mali i Pllajës në drejtim me kalanë e Skënderbeut. 

Ujvara e Sopanikës , Çidhën, Dibër

Historia e këtij vendi mbetet krenaria dhe burimi i traditave që kjo zonë mban në vetvete. Legjendat, tregimet dhe toponimet tregojnë që kjo zonë ka luajtur nje rol shumë të rëndësishëm luftërat që në histori janë zhvilluar në zonën e Dibrës. 

Në hyrje ndodhet kepi i qytetit, ku sipas legjendave dhe banorëve tregohet se Skënderbeu e kishte si një pikë referimi për betejat e tij, nisur kjo nga pozicioni i volitshëm gjeografik. Madje në shkëmb ndodhet një vrimë në lartësinë diku rreth dy metra, ku sipas legjendes tregohet se perdorej për të provuar meshkujt nëse kanë arritur gjatësinë e duhur për tu martuar dhe për të shkuar në luftë. 

Parajsa ndodhet në Dibër, pikërisht në fshatin Çidhën të Njësisë Administrative Arras. Ajo quhet “Ujvara e Sopanikës”  dhe sapo arrin përballë saj të duket vetja sikur po jeton brënda një skene të filmave të animuar dhe shpirti të mbushet me qetës dhe ndjenjë për të mos u larguar kurrë nga aty.  Shpella e Sopanikës është një tjetër veçanti e këtij vendi pasi i gjithë uji i ujëvarës rrjedh nga ajo.

Kanionet e Setes

Një tjetër atraksion unik ndodhet pranë ujvarës. Kanionet e Setës janë një tjetër mrekulli në këtë zonë. Janë 1.5 km të gjatë dhe zotërojnë një bukuri mahnitëse. Lumi i Setës buron nga liqenet e Lurës ose konkretisht ng” liqeni i luleve”. Përvec bukurive natyrore kanionet kanë shërbyer edhe si rrugëkalim i në kohët e luftërave duke qenë që shumë pranë ndodhet kalaja e Skënderbeut.

Pas vizitës në këto dy destinacione fantastike në kthim “Bujtina Arbri” që ndodhet në fshatin Arras pret me dashamirësi dhe bujarinë e dibranit çdo vizitor duke shijuar qetësinë dhe ushqimet tradicionale bio të zonës së Dibrës.

Siç e thashë, Dibra ka më shumë destinacione se çdo vend i veriut të Shqipërisë, por për shkak të mungesës së investimit dhe marketingut të munguar këto perla natyrore mbeten akoma të pa zbuluara nga turistët vendas dhe të huaj.