Kryeministri Edi Rama është duke mbajtur në Tiranë konferencën e përbashkët me kancelaren gjermane Angela Merkel, disa javë para se kjo e fundit të largohet përfundimisht nga politika. “Askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë se kancelarja Merkel”, tha Rama.

Rama foli për procesin e Berlinit, të ardhmen e Ballkanit pas ikjes së Merkel, si dhe e falenderoi kancelaren gjermane për gjithçka që ka bërë për vendin tonë dhe vendet e tjera të rajonit.

“Ishte një privilegj, një nder, një kënaqësi që unë të kisha këtë detyrë, që të kisha mundësinë të njihesha me të, të mësoja prej saj dhe sipas meje, modestisht, sot është një moment ku të gjithë ne jemi të vetëdijshëm qoftë për çfarë kancelarja ka bërë dhe boshllëkun do lërë”, tha Rama ndër të tjera.

Më tej, kryeministri shqiptar e ftoi Merkel që kur të mos jetë më në politikë të mund të vizitojë Shqipërinë dhe Ballkanin.

“Kancelarja e cila në detyrën e saj ka pasur impenjime në gjithë globin, tani do të jetë më e lirë dhe shpresoj shumë që do ketë kohën dhe dëshirën që të rikthehet në Ballkan dhe Shqipëri. Për të lexuar më nga afër realitetin tonë. Për t’u shpërblyer me diellin, detin, natyrën dhe humorin e Ballkanit. Që të paktën në këtë fushë është para Bashkimit Europian”, shtoi Edi Rama.