Edhe pak orë kanë mbetur nga afati i fundit ligjor për regjistrimin e kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiak për zgjedhjet e 30 Qershorit. Në ditën e fundit të regjistrimeve Partia Bindja Demokratike ka zyrtarizuar kandidatin e saj për Bashkinë Dibër.
Mësohet se këtë të hënë pranë KZAZ 19 në Peshkopi është regjistruar si kandidat për zgjedhjet e 30 Qershorit nën logon e Partisë Bindja Demokratike, Shkëlzen Qoka i cili deri tani do të garojë përballë kandidatit të PS Dionis Imeraj.
Kjo është e vetmja kandidaturë e zyrtarizuar e PBD deri orën 16:00 të së hënës në katër bashkitë e Qarkut Dibër.
Kandidaturat e zyrtarizuara deri tani janë ato të Partisë Socialiste për katër Bashkitë, Agron Malaj në Mat, Ilmi Hoxha në Klos, Lefter Allan ë Bulqizë dhe Dionis Imeraj në Dibër. Kandidatura e vetme e pavarur mbetet ajo e ish deputetit të Partisë Demokratike, Bedri Hoxha për Bashkinë e Klosit. Ndërkohë, gjatë kësaj të hëne pranë KZAZ-ve 16, 17, 18 dhe 19, janë regjistruar edhe kandidatët për këshillat bashkiak të disa partive.