Viti i Ri 2024 hyri sërish pa asnjë lindje fëmijësh në maternitetin e Spitalit Bashkiak Mat, ashtu siç ka ndodhur prej disa vitesh të tilla radhazi. Problematika me mungesën e mjekëve specialistë është një fenomen mbarëkombëtar kryesisht në zona të vogëla si Mati apo Bulqiza.
Megjithëse për shërbimin obstetërgjinekologjik është gjetur një mjek i cili ndjek gratë shtatzëna, edhe ky shërbim nuk ofrohet 24 orë, çka bën që në orët e pasdites, ky shërbim të jetë i zbuluar.
Burime për “Mat Televizion” thanë se mjekja obstetër shërben vetëm gjatë orarit zyrtar ashtu siç e ka në kontratën e punës së lidhur nga Ministria e Shëndetësisë. Lindjet në maternitetin e spitalit të Burrelit bëhen vetëm për ato që janë me planifikim nëpërmjet operacionit.
Në datën 30 dhjetor ka patur të paktën 4 raste të grave shtatzëna të cilat janë përcjellë për lindje normale në maternitetet e tjera të vendit. Ndërkohë që edhe në datën 2 Janar ka patur një rast të ardhur nga Klosi, por që është përcjellë për në Tiranë.
Ndërkohë, materniteti i Spitalit Bashkiak Mat ofron të gjitha kushtet me pajisje, shtretër për fëmijët e sapolindur dhe ambjente të tjera për qëndrimin e nënave, por e vetmja që i mungon është shërbimi 24 orë me mjek obstetërgjinekolog.