Natyrisht të gjithë e dim që koha më e bukur për rininë është ajo që kalojmë në bankat e shkollës. Por pas përfundimit të studimeve secili merr një rrugë ndryshe. Koha e kaluar në shkollë mbetet e paharruar e për këtë shumë iu rikthehen kujtimeve. Kjo është matura e vitit 1979 e gjimnazit “Haki Fejzo” që sot mban emrin “Pjetër Budi” në qytetin e Burrelit. Një pjesë e asaj mature u mblodhën këtë të shtunë sëbashku për të kujtuar edhe njëherë ato kohë. Bashkë me ish maturantët të cilët sot janë të profesioneve të ndryshme si mjek, mësues, inxhinier, muzikant etj, ishte edhe mësuesi i gjeografisë Robert Konomi. Pasi improvizoi apelin e ish nxënësve të tij, Konomi i falenderoi ata për organizimin dhe ftesën e bërë.
Në emër të ish maturantëve të 1979, foli Xhuljeta Zeneli e cila tha se pas 40 vitesh, po i rikthehet asaj kohe, ndonëse disa nga shokët dhe shoqet e klasës kanë ndryshuar fizikisht, ata kanë mbetur të njëjtë shpirtërisht si katër dekada më parë.
Takimi i radhës i kësaj mature u la pas 10 vitesh, për të kremtuar kështu gjysmë shekulli nga mbarimi i gjimnazit në vitin 1979.