Ekipi i Burrelit është pa trjaner vetëm dy ditë para përballjes së radhës që do të ketë të shtunën në Dibër me ekipin e Korabit. Trajneri Alert Alcani nuk është paraqitur të enjten në seancën e radhës stërvitore. I kontaktuar nga Mat Televizion, Alcani tha se ka dhënë dorëheqje nga pozicioni i trajnerit dhe se nuk do të jetë më pjesë e tij në ditët në vazhdim.
Ndërkohë, Drejtues të Klubit të Futbollit Burreli, thanë se pranë tyre nuk është depozituar asnjë shkresë nga ana e Alcanit për dorëheqje deri në orën 16 të ditës së sotme. Ata u shprehën gjithashtu se kanë zbatuar kontratën me Alcanin ashtu siç është rënë dakord që në fillim dhe se ndaj tij nuk kanë asnjë detyrim.
Ende nuk dihen arsyet e kësaj ndërprerje të kontratës me klubin matjan, ndërkohë pritet prononcimi i vetë Alcanit. Ky i fundit erdhi në krye të Burrelit pas largimit të Gentjan Stojkut.
Të enjten seanca stërvitore me futbollistët është drejtuar nga zëvendëstrajneri Renato Hoti i cili me gjasë edhe do ta drejtojë skuadrën gjatë ndeshjes së të shtunës përballë Korabit të Dibrës.