Ky është 45 vjeçari Emri Fejza me origjinë nga fshati Arrën i Kukësit ngjitur me fshatin Xhuxhë të Mirditës. Historia e Emriut është e pabesueshme. Atë e takuam në afërsi të Qafës së Buallit ku ishte ulur për të pushuar. 45 vjeçari tregon se prej dy ditësh po udhëton nga Tirana me destinacion Peshkopinë. Deri në këtë vend, atij i janë dashur dy ditë e dy net ecje në këmbë, ku njërën natë e ka kaluar në Skuraj të Kurbinit dhe tjetrën në një bunker në vendin e quajtur Qafdushk. Në këtë udhëtim të gjatë, endacaku Emri Fejza thotë se askush nuk e ka ndaluar, as policia e as ushtria, ndonëse këto struktura janë në terren për shkak të koronavirusit. Emriu thotë se 5 vëllezërit dhe motra e tij nuk e lënë të qëndrojë tek ta, ndaj dhe jetën e bën rrugëve, fle ku të mundet e han kur dikush i fal ndonjë lekë apo buk. Ai shprehet gjithashtu se aktualisht nuk ka asnjë të ardhur ekonomike pasi edhe pensionin që merrte ja kanë ndaluar prej 2 vitesh. Megjithëse strukturat shtetërore janë përqendruar në luftën ndaj Covid-19, nuk duhet të përjashtojnë këtë kategori qytetarësh në vendin tonë, pasi jo vetëm janë të ekspozuar ndaj rrezikut të prekjes por mund të jenë edhe përhapës të virusit korona.