Ndryshe nga Bashkia e Matit, bashkia fqinje e Mirditës e ka marrë në inventar rrugën Rrëshen – Urakë që u ndërtua rreth 11 vite më parë. Por në rrugën me asfalt, gropat mbushen me dhera, duke mos zgjidhur aspak sipas drejtuesve të mjeteve gangrenën e krijuar në këtë aks prej shumë vitesh. Ndonëse që nga Proseku e deri në vendin e quajtur “Livadhi i Turkut”, rruga ka shembje e gropa të mëdha, investimi i vetëm që bëhet në të është hedhja e dheut. Por për përdoruesit e kësaj rruge kjo nuk e zgjidh aspak problemin dhe se po bëhet sa për të thënë që ka ndërhyrje. Ata shprehen se mjetet po ju amortizohen, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi për qindra miliona lekë të investuara në këtë rrugë në vitin 2011 – 2012.
Aksi Rrëshen – Urakë nuk përdoret vetëm nga banorë të zonës së Mirditës, por edhe të Dibrës e Matit. Shumë nga mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë krom, përdorin këtë segment rrugor.