Një tjetër aksident është regjistruar në orët e pasdites së të Mërkurës në Bulqizë. Tre persona kanë mbetur të plagosur pasi u goditën nga një mjet në lëvizje.

Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Ish gjeologjia” teksa tre personat kanë qenë duke ecur anash rrugës kur janë goditur nga automjeti tip fuoristradë e cila më pas ka goditur edhe disa mjete të parkuara.

Të plagosur rëndë mbetën burrë e grua të cilët u dërguan për mjekim më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë. Transportimi i njërit prej të plagosurve është bërë me helikopter, ndërsa tjetri me autoambulancë.

Burimet bëjnë me dije se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit të jetë bërë një defekt në sistemin e frenave, megjithatë policia ka nisur hetimet për rastin në fjalë.

Më herët, po të mërkurën, një tjetër mjet u aksidentua në Fushë – Bulqizë ku nënë e bir mbetën të lënduar, por fatmirësisht pa rrezik për jetën.