Ky është 35-vjeçari Jetnor Zhaboli, i cili mbante të mbyllur prej muajsh nënën, gruan dhe dy fëmijën e mitur, brenda banesës së tyre. Jetnori ka jetuar ne Martanesh por vite me pare u shperngul ne kryeqytet

Raportohet se ndaj 35-vjeçarit do të kryhet një ekspertizë ligjore, pasi dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Çifti Zhaboli ishin prindër të dy fëmijëve 9 dhe 3 vjeç. 35-vjeçari nuk ka precedent penal dhe ka një skedë të pastër në policinë e shtetit. Policia e ka mbajtur në monitorim prej kohësh situatën në familjen në fjalë pasi kishte informacioni që bashkëshorti dhunonte bashkëshorten, por kur janë thirrur nga policia më parë bashkëshortja ka deklaruar se nuk dhunohej nga 35 vjeçari.

Por si u zbulua ngjarja?

Fillimisht, policia kishte marrë informacion dhe kishte indicie që një person mbante familjarët të mbyllur. Pasi efektivët kanë shkuar në këtë banesë, kanë parë që ishte e mbyllur. Më pas kanë shoqëruar 35-vjeçarin i cili ka hapur derën e banesës.

Pasi janë futur në banesë, kanë parë që shtëpia ishte e gjitha me kamera sigurie, në të gjitha dhomat e po ashtu edhe në tualet. Pas kontrolleve janë gjetur edhe dy letra që gruaja kishte lënë, ku lihej të kuptohej se kishte tentuar vetëvrasjen, duke u dhënë lamtumirën dhe duke u kërkuar falje familjarëve.

Menjëherë më pas është bërë arrestimi i 35-vjeçarit, si dhe janë shoqëruar në komisariat nëna, gruaja dhe fëmija. Nga dëshmitë e dhëna nga bashkëshortja, thuhet se 35-vjeçari përveçse se u kishte hequr lirinë, edhe i dhunonte. Po të njëjtën deklaratë e ka pohuar edhe nëna e tij.

Sakaq, pas dëshmisë, gruaja dhe fëmija janë strehuar tek banesa e prindërve të saj, në zonën e Paskuqanit. Vetë ai ka deklaruar se kjo ishte mënyra sesi ai mund t’i mbante nën kontroll.