Anis Mehmeti po kalon një sezon fantastik me Uaikomben dhe me paraqitjet e tij, patjetër që e kanë ngritur vlerën e kartonit nëse një blerës potencial do të vijë. Flitet se klubi i Premier Ligës, Notingem Forest, interesohet për Mehmetin dhe e ka ndjekur atë kohët e fundit, por në lidhje me shqiptarin ka folur edhe trajneri i tij aktual.
\
Ish-futbollisti Ainsuorth është i bindur se Mehmeti do të qëndrojë deri në fund të sezonit, megjithatë ai i druhet një interesimi dhe një oferte të një klubi që garon dy kategori më lart.
“Ne do të përpiqemi ta mbajmë atë. Ai është një lojtar i madh dhe besoj se në të ardhmen do të luajë në nivelin më të lartë. Por për momentin, Mehmeti po shijon futbollin e tij në Uaikomb. Unë kam folur me menaxherët dhe familjen e tij dhe u pëlqen këtu. Për dikë që na u bashkua nga kategoritë amatore dhe sezoni i tij i parë me ne ishte në Championship dhe tani është rritur ndjeshëm hap pas hapi. Është kënaqësi të stërvitësh dikë si ai dhe ai do të jetë i pari që do t’i vlerësojë shokët e tij të skuadrës që i kanë dhënë mundësinë atij për të bërë ato që po bën”, tha trajneri i Uaikombes për Mehmetin.
ECURIA Ai iu bashkua Uaikombes në Championship nga kategoritë e ulëta angleze dhe gjysma e sezonit të parë nuk është se i rezervoi shumë minuta. Por pas rënies në “League One” (Kategoria e Tretë), Anis Mehmeti ka shpërthyer me një supersezon teksa është kthyer në një pikë kryesore të ekipit të tij.