Kjo është 53 vjeçarja Rabie Laçi nga fshati Gurë i Bardhë në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit. Historia e jetës së Rabies është tragjike, pasi ka kaluar shumë peripeci e sot gjendet mes katër rrugëve. 53 vjeçarja e quan veten krejt të pafat pasi prindërit u ndan nga jeta të dy vite më parë e ajo u martua në moshë madhore. Nga martesa pakurorë me burrin e saj afron 22 vite më të madh, për fat të keq nuk pati fëmijë. Pak javë më parë, burri i ndërroi jetë dhe Rabie Laçi mbeti e vetme në qytetin e Burrelit. Ata jetonin në një shtëpi me qera, por pas vdekjes së bashkëshortit, Rabia nuk mund të bëjë pagesën e qerasë. Pas kësaj, Rabie Laçi është kthyer në fshatin e lindjes, Gurë i Bardhë në banesën e prindërve. Por duke qenë se në këtë shtëpi nuk banoi askush pas vdekjes së prindërve, pasi Rabia nuk ka as vëllezër, ajo është gati e rrënuar. Duke qenë se ajo vuan nga një sërë sëmundjesh e i duhet patjetër të jetë afër spitalit, apeli i Rabie Laçit shkon për instancat shtetërore, shoqatat e ndryshme dhe qytetarët që kanë mundësi ekonomike, ta ndihmojnë. Historinë e jetës së saj, 53 vjeçarja Rabie Laçi e tregon me lot në sy. Fati i kësaj zonje të vetmuar tashmë është në duart e të tjerëve, pasi nuk ka asnjë të afërm të saj.