Zbardhet vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Gjykata shprehet se afatet e parashkrimit janë respektuar sepse Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.
Në vendim thuhet se pengesa e imunitetit në atë kohë ishte e përkohshme dhe rënia e këtij kushti i hap rrugën gjykimit.
“Nuk është gjë e gjykuar. Afatet e parashkrimit janë respektuar se është marrë i pandehur që në vitin 2009. Pengesa e imunitetit ishte përkohshme. Rënia e kushtit për pasur imunitet konsiderohet fakt i ri që hap rrugën e gjykimit”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Gjykata e Posaçme vendosi që të rihapë çështjen “Gërdeci”, duke nisur rigjykim për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, për shpërthimin në mars të 2008 ku humbën jetën 26 persona. SPAK iu drejtua në muajt e parë të vitit Gjykatës së Lartë me kërkesën për revokimin e vendimit të 2009 që pushoi çështjen ndaj Mediu me arsyetimin se nuk mund të gjykohet pasi ishte me imunitet.