Kreshnik Çollaku, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, deklaroi nga studio e “Ditari” në A2 se zhvendosja e “Dosjes 184” nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Dibrës “është një formulë e njohur mafioze”.

“Është një formulë e njohur, mafia ka bërë zhvendosje dosjesh edhe në Itali. E njëjta gjë është me “Dosjen 184”, pasi me zhvendosjen e saj nga Krimet e Rënda në Dibër është treguar se ka implikim të drejtuesve të prokurorisë me aktivitetet mafioze. Mafia ka kapur prokurorinë ky është lajmi. Këto segmente duhet të hetohen për bashkëpunim me mafien. Ky është thelbi i krizës politike në vend. Qershia mbi tortë është implikimi i qartë i segmenteve të prokurorisë me aktivitet mafioz. Prokuroria është qartësisht një vegël në shërbim të kryeministrit dhe qeverisë. Zhvendosja e dosjes është akt në panik, pasi lë gjurmë publike. Po shkatërrohet një dosje e një dimensioni të madh, ku akuzohet për grup të strukturuar kriminal në shit-blerjen e votave. Akuzat e PD-së kanë qenë të sakta dhe të drejta. Janë provuar dhe do të vazhdojnë të provohen. Kanë treguar se kauza e PD-së është e drejtë, nuk është betejë për pushtetin politik, por një mision për çlirimin e Shqipërisë nga mafia”, tha Çollaku.

Në lidhje me aksionin politik të opozitës duke nisur nga muaji i ardhshëm, Çollaku tha: “Besoj që shtatori do të jetë muaj protestash. Edhe në gusht ka patur protesta, si në Shkodër për shembull. Parimi kryesor është që duke parë situatën që nuk po ndryshon, por po rëndohet, do të vijojmë në rrugën tonë. Është rritur revolta e njerëzve dhe sfida jonë është përfaqësimi i kësaj revolte. Në 30 Qershor ishte një ndëshkim i heshtur dhe kuptimplotë nga ana e shqiptarëve”.

Çollaku paralajmëroi gjithashtu se Partia Demokratike do të denoncojë të tjerë kryebashkiakë në ditët në vijim: “Pjetri dhe Kajmaku nuk janë as të parët dhe as të fundit. PD-ja akuzon, këta sfidojnë me reagimet e tyre dhe pastaj japin dorëheqjen. PD-ja në asnjë rast nuk ka abuzuar me akuzat e saj”.