Fshati Dom në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit po përballet me ndotje të vazhdueshmë për shkak të hedhjes së mbeturinave pa kriter. Familjarët detyrohen t’i hedhin mbeturinat e konsumit të përditshëm në ambjent të hapur pasi në të gjithë fshatin mungojnë kontejnerët. Brigjet e përrenjëve janë mbushur me mbeturina, duke dhënë një pamje të shëmtuar.
Më problematike situata paraqitet në anën lindore të fshatit ku mbeturina të shumta janë hedhur në grykën e përoit që derdhet në lumin Mat.
Mbeturinat aty janë që nga plastika, qelqi e deri tek metalet. Stogjet e mbeturinave që gjenden në breg përfundojnë më pas në lumin e Mat e si përfundim në liqenin e Ulzës. Jashtë kameras banorët thonë se janë të detyruar t’i hedhin aty pasi nuk kanë ku t’i çojnë tjetër. I vetmi kosh mbeturinash është ai në rrugën nacionale kur kalon urën e Domit. Por për banorët ai është shumë larg dhe nuk mund t’i çojnë mbeturinat deri atje.