Zonat rurale vijojnë të përballen me problemin e ndotjes së mjedisit si pasojë e mbeturinave të produkteve të konsumit të përditshëm. Mungesa e shërbimit të grumbullimit dhe tërheqjes së mbeturinave në fshatra, i bën këto të fundit të papastër në anën mjedisore. Në një situatë të tillë ndodhet edhe fshati Dom në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit. Në mungesë të koshave për hedhjen e mbeturinave, banorët i shkarkojnë ato në vende të ndryshme duke shkaktuar ndotje të ambjentit. Ata thonë se prej vitesh kanë kërkuar për të vendosur kosh mbeturinash në fshatin e tyre pasi i ka banesat e grumbulluara por deri tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Situata bëhet edhe më shqetësuese me rritjen e temperaturave ku nisin problemet e ndotjes së ajrit.

  Banorët e Domit kërkojnë nga pushteti vendor që të përfshijë në hartën e pastrimit të mbeturinave edhe fshatin e tyre.