Sapo ka dalë në qarkullim numri i ri i muajit shtator, i 101-ti i gazetës “Mati” me drejtor Qemal Cenaj, një gazetë e pavarur kjo e cila është në vitin e 18 të botimit të saj.
Gazeta Mati rrok një sërë tematikash nga aktualiteti, kultura, historia, dokumentari, letërsia, etj.
Në ballinë të gazetës evidentohet kryeartikulli “Bashkëpunim e kurajo për të përballuar pandeminë Covid-19”. Po në ballinë është shkrimi-analizë “Tregu i ri, si mund të organizohet më mirë?
Ndërsa më në brendësi të numrit të ri të gazetës Mati do të lexoni shkrimet: Punë intensive në rrugët e fshatrave, Çfarë fshihet pas hezitimit për regjistrim të sipërfaqeve pyje-kullota?, Kujtojmë si u krijua dhe si erdhi në pushtet Partia Demokratike, ku një nga nismëtarët ishte dhe kryetari i parë i PD dega Mat, Hysen Kuka, Një rrëfim për Burgajetin nga Dan Shema, Bjorn Rambi ndër 10 maturantët më të mirët, Kontributi i Kurdarisë gjatë LANÇ, shkruar nga historiani dhe studiuesi Sefer Duka.
Gazeta Mati memorizon në faqet e numrit të ri të saj dhe një sërë shkrimesh homazh për intelektualë matjanë që jetojnë në memorien e shoqërisë, si Cevan Cevani, Isuf Neli, Sefer Kola, Baftjar Vuka, por edhe për ish sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së asaj kohe, Mustafa Pajenga. Gazeta i bën jehonë edhe vlerësimit të matjanit Faik Xhani me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.
Më pas gazeta Mati i lë një vend të zgjeruar shkrimeve nga arti dhe letërsia. Studiuesi Gjokë Dabaj sjell një shkrim-analizë mbi rikthimin te folklori i Kryemates. Nga ana tjetër ehe studiuesi Mevlud Buci në shkrimin e tij ju njeh më në detaje me Sabedin Kurtin, mjeshtër i rrallë i punës e zejeve popullore. Hamdi Hysuka, Kryetar i Klubit Letrar “P. Budi”, Mat, i bën edhe njëherë jehonë Festivalit të 5 gjithëkombëtar “Muza Poetike budiane”, që këtë herë u zhvillua virtualisht përmes platformave të transmetimit të “Mat Tv”.
Në fund gazeta Mati sjell shkrimin; Ndryshime pozitive në Qendrën Kulturore të Fëmijëve dhe prezanton botimin e parë në poezi të gjimnazistes klosjane Valbona Xhepi “Metaforë jete”.
Fatmir Neli