Mbrëmjen e së mërkurës është djegur eskavatori i firmës që po punon për ndërtimin e HEC-eve në Zall Gjoçaj të Matit. Një ngjarje e tillë vjen fill pas djegies së një kamioni disa ditë më parë. Bora Mikli, zëdhënëse e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, që p1rfshin edhe Burrelin, u shpreh për BIRN se është marrë informacion për djegien e një eskavatori të kompanisë që po bën ndërtimin e HEC-eve në Zall Gjoçaj. “Policia po kryen hetimet. Me të mbaruar veprimet e para, do të kemi një komunikim zyrtar për ngjarjen” u shpreh Mikli.
Ngjarjen e konfirmoi për BIRN edhe banori i fshatit Melth, Dhimitër Koleci ndërsa tha se për ngjarjen janë shoqëruar në polici disa banorë. “Para dy javësh është djegur një makinë, kamion. Mbrëmë është djegur edhe makineria tjetër që shërbente për hapjen e rrugës. Për një gjë të tillë ka shoqërime në polici të fshatarëve të zonës, në fshatin Melth çfarë ka gjetur (policia) i ka shoqëruar në Komisariatin e Burrelit” shprehet Koleci.
Bardhyl Muceku, administrator i kompanisë Seka Hydropower, i tha BIRN se nuk kishte dijeni për djegien e eskavatorit, pasi kompania që përfaqëson po bën investimin, ndërsa zbatimin në terren po e bën kompania Trema Engineering 2 Sh.p.k. “Unë nuk kam informacion, si përfaqësues i investitorit. Ndërtimin po e bën një kompani tjetër, Trema Engineering 2 Sh.p.k. që ka një kontratë me Seka Hydropower. Kompania që po bën ndërtimin nuk na ka njoftuar” u shpreh Muceku për BIRN.
Dhjetra banorë të mbështetur edhe nga aktivistë të shoqërisë civile, më 6 mars 2020 protestuan para Bashkisë Mat për të kundërshtuar këtë projekt, ndërkohë në fshat prej muajsh ata kanë ngritur një çadër dhe nuk lejojnë makineritë e firmës që të vazhdojnë punimet.
Leja për HEC u miratua në tetor të vitit 2018-të nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por prej muajsh banorët e kundërshtojnë ngritjen e tij dhe kanë deklaruar se nëse nuk u dëgjohen ankimet do të përdorin forcë për të ndaluar punimet.
Dhimitër Koleci, mohoi që me ngjarjen në fjalë të kenë lidhje banorët e zonës, ndërsa akuzoi kompaninë që po kryen investimin se këto veprime bëhen për t’u viktimizuar. “Kur u dogj kamioni para disa javësh, kompania ndërpreu punimet. Firma aty ka rojet e veta, që normalisht janë edhe përgjegjës për ruajtjen e makinerive. Banorët nuk kanë asnjë lidhje me këtë punë, se ata aty rrinë, jetojnë dhe u bien në qafë kot atyre njerëzve” u shpreh Kelci për BIRN.
Zona Lurë – Dea ku shtrihet një pjesë e tubacionit, bën pjesë në listën e zonave të mbrojtura si monument natyre, së bashku me kanionet e Flimit dhe të Urakës si monumente gjeonatyrore. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, në nëntor të vitit 2019-të rrëzoi padinë e banorëve të fshatrave Zall Gjoçaj, Gjoçaj dhe Melth në Mat dhe disa organizatave të shoqërisë civile, që kërkonin pezullimin e punimet për ndërtimin e hidrocentralit të Sekës në lumin Zall Gjoçaj, deri në marrjen e një vendimi mbi themelin e çështjes. Ndërsa beteja në gjykatë vazhdon, seancat gjyqësore janë shtyrë disa here.