Në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Internetit të Sigurtë, Njësia për Integrimin Europian dhe Ndihmës së Huaj në Bashkinë Mat, zhvilloi një aktivitet informues me nxënës të shkollës 9-vjeçare “Ali Xhetani” në Zenisht. Specialistët e kësaj zyre relatuan në lidhje me rëndësinë e internetit në kohën e zhvillimit teknologjik, por edhe rreziqet që mbart ky shërbim sidomos për fëmijët. Duke e zhvilluar aktivitetin në formë bashkëbisedimi, fëmijët dhanë opinionet e tyre në lidhje me dobitë dhe dëmet që shkaktohen nga përdorimi i internetit, e sidomos siguria e tij.
Ndërkohë Përgjegjësi i Njësisë për Integrimin Europian dhe Ndihmës së Huaj në Bashkinë Mat, Tomorr Bukaçi tha se qëllimi i aktivitetit është informimi i nxënësve në lidhje me kujdesin që duhet të tregojnë gjatë përdorimit të internetit. Po ashtu sipas tij, fëmijët duhen informuar se si të mos biejnë pre keqbërësve sidomos në rrjetet sociale.
Siguria e fëmijëve në internet, tashmë është kthyer në çështje ndërkombëtare e për këtë është caktuar një ditë e tillë, për të dhënë mesazhe sensibilizuese.