Mijëra nxënës u futën në klasa këtë të hënë për të nisur vitin e ri shkollor 2021 – 2022. Duke respektuar rregullat antiCovid, afro 3 mijë nxënës të Bashkisë së Matit u ulën në bankat e shkollës. Procesi mësimor nisi në orën 8:00 në qytet dhe në orën 8 e 30 minuta në fshatra. Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Mat, Shpresa Tusha tha se procesi mësimor ka nisur normalisht në të gjitha shkollat, ndërsa falenderoi pushtetin vendor për përgatitjen e ambjenteve në kohë.

Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj duke uruar nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri shkollor tha se bashkia do të vijojë të ketë në qendër të vëmendjes arsimin dhe krijimin e kushteve optimale për nxënësit dhe mësuesit.

Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se procesi mësimor ka nisur normalisht në të katër Bashkitë e Qarkut, ndërsa pushteti vendor ka bërë të mundur që objektet të jenë gati për këtë vit të ri shkollor.

Edhe në Bashkinë Klos, procesi mësimor ka nisur normalisht në të gjitha shkollat, duke përjashtuar atë të Suçit. Hyrja dhe qëndrimi në ambjentet e brendshme të shkollave është bërë duke respektuar të gjitha rregullat mbrojtëse antiCovid.