23 Prilli, Dita Botërore e Librit, kulmoi në Mat me promovim veprash letrare nga Klubi letrar “Pjetër Budi”, Mat, në bashkëpunim me Bibliotekën Publike Mat, nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj.

Përveç përfaqësuesve të Klubit letrar Mat, të Bibliotekës Mat, të institucioneve arsimore, nderuan veprimtarinë letrare: kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës prof. dr. Shyqri Galica; zv.kryetarja e Bashkisë Mat Flutura Biba, kryetarja e Këshillit të Bashkisë Klos Hazbie Dedolli, Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Mat Shpresa Tusha, shkrimtari e publicisti Namik Selmani; dr. Sali Kurti, “Qytetar Nderi” i Bashkisë Mat – “Mjeshtër i Madh”; familjarë të shkrimtarit të paharruar, Sulejman Krasniqi, Drejtori i “Mat Tv” Luftim Vani, drejtori i gazetës “Mati” Qemal Cenaj, etj.

Tri librat e rinj që u promovuan në mes të një paneli të zgjedhur, në sallën e Pallatit të kulturës Burrel, ishin: “Një jetë me Skënderbeun” monografi, e autorit Namik Selmani; “Për Sulejman Krasniqin” monografi, vëllimi i parë, botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës; “Matjani për Matin” publicistikë, i autorit Hamdi Hysuka.

Diskutantët përveçse diskutuan rreth këtyre tre librave të rinj, u fokusuan edhe në kërkesën ndaj autoriteteve vendore që evente të tilla sensibilizuese me vlerë edukative për shoqërinë, e në veçanti për rinjtë, të zhvillohen me një pjesëmarrje më të gjerë të tyre.